
Në qendër të fshatit Gjoricë e Poshtme në Bulqizë historikisht ka qenë një burim uji në të cilin mbushte i gjithë fshati. Burimi vijon të jetë edhe në ditët e sotme, madje sa herë ka probleme ujësjellësi, banorët rikthehen të mbushin ujë aty. Burimi i ujit është pranë banesës së Liman Lleshit.
Ky i fundit ka tentuar të investojë tek ky burim uji për ta bërë me beton në mënyrë që të jetë i sigurtë uji kur të përdoret. Por Lleshi shton se nuk është lejuar nga autoritetet vendore ku i kanë kërkuar që ai të marrë leje ndërtimi për këtë vepër.
Nga ana tjetër, Liman Lleshi thotë se ky investim që kërkon të bëjë ai i shërben gjithë fshatit dhe jo vetëm familjes së tij. Ai shton se ka kërkuar mbështetjen e Bashkisë por kjo e fundit jo vetëm që nuk e ka mbështetur, por as nuk e ka lejuar ta bëjë investimin privatisht.



