Skip to content

Bum fluturimesh, aeroporti drejt 4.2 milion pasagjerëve në vit

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Aeroporti “Nënë Tereza” është përballë një rritje të ndjeshme të fluturimeve dhe parashikohet që numri i pasagjerëve këtë vit të arrijë në nivelin historik në 4.2 milion.

 

Numri më i lartë u regjistrua në vitin 2019, në 3.3 milion. Kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Ethemaj, i ftuar në E-ZONE tha se përballë kësaj situatë aeroporti po merr masa shtesë për të përballuar këtë fluks.

 

“Brenda muajit gusht ne presim që të hapen edhe 8 porta të reja me qëllim reduktimin e radhëve që krijohen. Fokusi do të jetë tek sportelet e kontrollit të pasaportave apo dhe tek kontrolli fizik aty ku krijohen më shumë vonesa.”

 

Sipas Ethemajt e gjithë industria e aviacionit po përballet një kërkesë të lartë pasagjerësh, ndërsa bllokimi i hapësirës ajrore në disa vende ka krijuar një presion edhe për spostime dhe anulime të afateve nga ana e kompanive ajrore.

 

“Fluksi është përtej kapaciteteve që përballojnë aeroportet dhe kompanitë, të cilat shkurtuan shpenzimet për shkak të pandemisë dhe tashmë janë përballë një fluksi të madh. Ne inkurajojmë çdo pasagjerë që të denoncojë rastet kur ka vonesa apo anulime të fluturimeve, pasi rregullorja në aviacion parashikon edhe kompensime financiare.”

 

Kohët e fundit ka një rritje të vonesave apo dhe anulime të fluturimeve nga kompanitë ajrore që operojnë në tregun tonë. Kjo ka krijuar një pasiguri tek qytetarët, të cilët kanë prenotuar udhëtime gjatë muajve të verës, duke shkaktuar kosto financiare shtesë.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë