Me dyer të mbyllura, trupa gjykuese ka vendosur të lërë në burg pa afat 27 vjeçarin i cili rrahu barbarisht të bijën e tij 6 vjeçe, një ngjarje e regjistruar nga policia disa ditë më parë në Kamëz.

27 vjeçari mohoi kategorikisht se ka dhunuar seksualisht të bijën, por pranoi se e ka rrahur..

Mbi këtë të fundit, ai u justifikua duke thënë se vajza e bezdiste në telefon të ëmën ndërsa ajo ishte në punë. Por në fakt në dosjen hetimore vihet në dukje se e mitura e merrte nënën në telefon dhe i kërkonte asaj të mos e linte në shtëpi vetëm me të atin, prej frikës nga dhuna e këtij të fundit.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, 27 vjeçari do të qëndrojë në burg derisa hetimi të përfundojë dhe gjykata të marrë verdiktin final.

Kujtojmë se prokuroria veç akuzës së “dhunës ndaj të miturve”, ka ngritur dhe akuzën e “marrëdhënies seksuale me të mitur”. Mbi këtë akuzë pritet përfundimi i ekspertizës mjeko- ligjore.

Organi i akuzës po ashtu ka kërkuar një ekspertim psikik të prindërve si dhe analizat për të dy, për të parë nëse janë përdorues të ndonjë lënde narkotike ose jo.

Çifti ka qenë i ndarë prej vitesh, por afro dy muaj më parë, prindërit e 6 vjeçares kanë rinisur të bashkëjetojnë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re