Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është drejtuar me një letër 11 institucioneve të shtetit mbi zbatimin e unifikuar të ndryshimeve në Kodin Penal. Ndër institucionet që iu është drejtuar janë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe ministrave të Drejtësisë dhe Shëndetësisë. Gjithashtu Presidenti ia dërguar këtë letër edhe kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.
“Kreu i shtetit rithekson se zbatimi i ndryshimeve në Kodin Penal që përmbajnë figurat e dy veprave të reja penale, e që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me situatën në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë COVID- 19, nuk duhet të lërë asnjë shteg për keqinterpretim sa i takon rrethit të subjekteve dhe veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale”, thuhet në këtë letër.
Në këtë këndvështrim, sipas Presidentit, zbatimi i normës penale në mënyrë të unifikuar, ka një funksion garantues për liritë themelore të njeriut dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
Letra e plote Letra Meta Shkresa
“Përpos sa më sipër, lind nevoja e një bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për hartimin e udhëzuesve integralë që do të orientojnë Policinë e Shtetit, dhe sistemin e drejtësisë penale në tërësi, për aplikimin e dispozitave të reja të Kodit Penal, bazuar në kritere të qarta teknike dhe aktet ligjore e nën ligjore në fuqi që lidhen me kuptimin e termavesi “gjendje e epidemisë”, “masa të jashtëzakonshme”, “urdhri organeve kompetente për karantinim ose izolim”, “person mbartës”, “detyrimi i njoftimit nga autoritetet shtetërore përkatëse”, apo “sëmundje infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin””, thekson presidenti.
Kërkesa e presidentit
Miratimi i këtyre udhëzuesve dhe publikimi i tyre, duhet t`i paraprijë hyrjes në fuqi të dispozitave të reja të Kodit Penal, për të patur një zbatim objektiv, në përputhje me parimet kushtetuese dhe me rrethanat që kanë diktuar miratimin e këtyre normave të reja penale në këto momente.
Orientimet e unifikuara do të garantojnë që këto norma të reja penale të aplikohen në mënyrë sistematike, për përmbushjen e funksioneve të këtyre figurave të reja të veprave penale, funksionin garantues se do të zbatohen këto dispozita vetëm sipas elementëve që janë përcaktuar qartë në ligj, ashtu si dhe funksionin mbrojtës ndaj lirive dhe të drejtave themelore që lidhen me jetën e shëndetin e njeriut, ashtu si dhe me shëndetin publik në tërësi.
