Në seancën parlamentare të radhës më 16 prill, këtë herë ndryshe për shkak të pandemisë COVID-19 krahasuar me normalen, ligjvënësit do të votojnë ndryshimet e propozuara nga qeveria në Kodin Penal dhe Rrugor.

Qeveria shqiptare ka propozuar masa të ashpra për të gjithë shkelësit, të cilët nuk i respektojnë, nisur nga situata e vështirë që vendi po kalon për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë miratoi programin dhe kalendarin e Kuvendit sot. Kuvendi do të ndryshojë dhe Rregulloren e tij për të përshtatur veprimtarinë e tij me situatën e krijuar.

“KUVENDI I SHQIPËRISË DO TË DISKUTOJË DHE VOTOJË AKTET NORMATIVE TË MIRATUARA NGA QEVERIA, BASHKË ME MASAT E REJA SHTRËNGUESE SI NDRYSHIME NË KODIN PENAL TË RSH, NË KUSHTET E GJENDJES SË FATKEQËSISË NATYRORE DHE SPECIFIKISHT EPIDEMISË, TË CILAT DO TË MBROJNË POPULLIN NGA TË PABINDURIT E PAPËRGJEGJSHËM DERI NË FUND TË KËSAJ LUFTE.”, shkroi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në Facebook.

Propozimet e qeverisë

 

Komisionit Për Cështjet Ligjore, Administratën Publike Dhe Të Drejtat e Njeriut

 

Në vëmendje të: Kryetarit,Z. Ulsi Manja

 

Deputetëve, Anëtarë të Komisionit

 

Objekti: Propozime për amendamente në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka

 

I nderuar Z.Manja,

 

Të nderuar Kolegë Deputetë,

 

Bazuar në nenin 71, pika 1të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë paraqes amendamente për disa shtesa në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e deputeteve Eglantina Gjermeni dhe Klotilda Bushka:

 

Titulli i projektligjit ndryshohet me përmbajtjen si vijon:

 

“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

 

Pas Nenit 1 të projektligjit, shtohet Neni 2me përmbajtjen si vijon:

 

Neni 2

 

Pas nenit 242, shtohen nenet 242/1 dhe 242/2 me këtë përmbajtje:

 

“Neni 242/1

 

Mosbindja ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatëgjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

 

Mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

 

Po kjo vepër, e kryer në mënyrë të përsëritur dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit. Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës ose vdekja e personit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

 

“Neni 242/2

 

Shkelja e rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infective.

 

Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dhjetë vjet.

 

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

 

Kur nga vepra ka ardhur ose ka mundësi të vijë vdekja e personit, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.

 

Arsyetimi i amendamenteve

 

Qëllimi pse paraqes amendimet në Kodin Penal lidhet me parandalimin e përhapjes së infeksioneve dhe forcimin e luftës kundër epidemive, nisur nga situata e vështirë që po kalon vendi ynë dhe mbarë bota nga virusi COVID19.

 

Për të arritur këtë qëllim, përvec sanksioneve administrative për të gjithë ata persona qëdo të shkelnin masat e marra, të vendosura nga organet shtetërore, është e nevojshme që të parashikohen dhe sanksione në Kodin Penal, për disa veprime dhe mosveprime të caktuara, duke marrë në konsideratë rrezikun që kanoset për jetën dhe shëndetin nga përhapja e epidemive të sëmundjeve ngjitëse, apo në situata në tjera në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Vende anëtare të Bashkimit Europian, ku përmend Italinë, kanë parashikuar sanksione të tilla në Kodin Penal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re