Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka zbardhur detaje nga takimi me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka në Bruksel për burgosjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Në një intervistë për televizionin Ant1, ai u shpreh se “zgjatja e paraburgimit të Fredi Belerit, bie ndesh perceptimin europian të shtetit të së drejtës”.

Ndërsa shtoi “jo vetëm ne, por as BE s’do të tolerojë nga një vend i Evropës shkelje të shtetit ligjor”.

“Ministria e Jashtme ka dhënë një njoftim zyrtar. Zgjatja e paraburgimit, bie ndesh me perceptimin europian të shtetit të së drejtës. Por ka edhe gjëra që nuk thuhen në publik. Takova edhe homologen time shqiptare dhe i thashë gjithçka që shumëkush kupton se duhet t’i thosha. Ne nuk duam të vendosim askënd në pozitë të vështirë, por nga ana tjetër jo vetëm qeveria greke, por edhe BE nuk do të tolerojë shkeljet e shtetit ligjor nga një vend në Evropë”, tha ministri Dendias.

Ai theksoi se duhet të ketë drejtësi të pavarur dhe se “është gjithashtu për të ardhur keq që ndodhi kjo sepse marrëdhëniet greko-shqiptare në këtë periudhë shënuan një përparim të jashtëzakonshëm”.

“Kur u themi të gjitha vendeve se duhet të ketë drejtësi të pavarur, të gjitha vendet që janë në rrugën e anëtarësimit, dhe me të drejtë e themi këtë, në asnjë mënyrë kjo nuk mund të kundërshtohet dhe të mos zbatohet, pra duhet të ketë drejtësi të pavarur.

Por meqenëse kemi edhe një periudhë zgjedhore nuk dua të shndërrohet ky problem në një çështje të fushatës zgjedhore. Sistemi grek e njeh në mënyrë absolute këtë çështje dhe ka identifikim absolut të pikëpamjeve, ndaj mendoj se në tërësi e di shumë mirë se çka duhet bërë atje dhe do ta bëjë me gjithë seriozitetin e duhur. Është gjithashtu për të ardhur keq që ndodhi kjo sepse marrëdhëniet greko-shqiptare në këtë periudhë shënuan një përparim të jashtëzakonshëm”, u shpreh Dendias.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re