Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu udhëtoi në Arabinë Saudite, ku u takua me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman dhe Sekretarin e Shtetit të SHBA Mike Pompeo, sipas burimeve izraelite.

Sipas gazetës izraelite Haaretz, shefi i Mossad-it, Yossi Cohen gjithashtu mori pjesë në takimin në qytetin e Neom.

Zyra e kryeministrit izraelit nuk pranoi të komentonte mbi informacionin, por fluturimi u regjistrua në një faqe në internet që ndjek trafikun ajror.

Aeroplani u ngrit nga Izraeli rreth orës 19:30 me kohën lokale, u ul në Neo dhe qëndroi aty për dy orë.

Sipas informacionit nga faqet që ndjekin trafikun ajror, ai u kthye në Izrael gjysmë ore pas mesnatës.

Eshtë i njëjti aeroplan privat që Netanyahu vizitoi Rusinë në disa raste, dhe i cili ishte menduar së fundmi të shkonte në Uashington për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, para se të ndryshonte plani i udhëtimit.

Sipas burimeve të cituara nga Haaretz, zv.kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Izraelit Benny Gantz, si dhe ministri i Jashtëm Gabi Ashkenazi nuk dinin për takimin.

Gjatë fundjavës, ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan Al Saud, preku marrëveshjet e fundit të normalizimit, duke thënë se Arabia Saudite “ka mbështetur prej kohësh normalizimin me Izraelin, por që më parë duhet të bihet dakort për një marrëveshje paqësore, të qëndrueshme dhe të plotë midis izraelitëve dhe palestinezëve”.

Sipas Haaretz, e gjithë kjo po ndodh gjatë turneut të Mike Pompeo në vendet e Gjirit, ku administrata e Presidentit Donald Trump po përpiqet të forcojë strategjinë kundër Iranit, “kërcënimi i parë në rajon”.

Sekretari amerikan i Shtetit në largim dhe administrata Trump po përpiqen të bindin Arabinë Saudite të bashkohet me vendet e tjera Arabe që kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, dhe përveç Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, Sudani gjithashtu ka rënë dakord për këtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re