Astronauti legjendar amerikan Buzz Aldrin, anëtar i misionit Apollo 11 dhe njeriu i dytë që eci në Hënë, njoftoi sot se u martua me partneren e tij prej shumë vitesh dje, të premten, në ditëlindjen e tij të 93-të.

Aldrin dhe Anka Fore, nënkryetare ekzekutive e Buzz Aldrin Ventures, zyrtarizuan bashkimin e tyre në një ceremoni private.

“Në ditëlindjen time të 93-të (…) jam i lumtur të njoftoj se e dashura ime prej kohësh, Dr. Anka Fore, dhe unë u martuam,” shkroi astronauti në Twitter, duke postuar një foto të tij dhe Fore, e cila është 63 vjeçe, sipas mediave amerikane. “Ne u bashkuam me lidhjet e shenjta të martesës në një ceremoni të vogël private në Los Angeles dhe jemi të emocionuar si adoleshentë.”

Sipas profilit të saj në LinkedIn, Anka Fore mori një doktoraturë në inxhinieri kimike në 1996 nga Universiteti i Pittsburgh. Para se të bashkohej me Buzz Aldrin Ventures, ajo punoi në kompanitë kimike Union Carbide dhe Johnson Matthey. Ajo ka shërbyer gjithashtu si arkëtare e një lobi hidrogjeni, Këshilli i Biznesit të Hidrogjenit në Kaliforni.

Tre martesat e mëparshme të Buzz Aldrin përfunduan me divorc.

Astronauti amerikan është i mbijetuari i fundit i misionit Apollo 11, gjatë të cilit ai dhe Neil Armstrong u bënë njerëzit e parë që ecën në Hënë më 20 korrik 1969.

Michael Collins, anëtari i tretë i misionit dhe komandanti i anijes kozmike që mbeti në orbitë rreth Hënës ndërsa kolegët e tij ecnin në sipërfaqen e saj, vdiq në prill 2021 dhe Armstrong në 2012.

Pas largimit nga agjencia amerikane e hapësirës (NASA) në 1971, Buzz Aldrin mbeti një mbështetës i flaktë i udhëtimit në hapësirë, sipas APE-MPE.

Një krater në Hënë, i vendosur afër vendit ku u ul misioni Apollo 11, mban emrin e tij. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re