Princ Philip, Duka i Edinburgut dhe burri i mbretëreshës Elizabeta është shtruar në spital pasi nuk është ndjerë mirë.
Pallati Buckingham bëri me dije se Philip, 99-vjeç, ishte ndjerë keq të martën dhe menjëherë u shtrua në spitalin King Edward VII.
“Dërgimi i Dukës në spital është një masë paraprake e këshilluar nga mjeku i Lartësisë Mbretërore”, shkruhet në deklaratë.
Ndërkohë në deklaratë nuk u dha asnjë detaj tjetër se çfarë simptomash kishte shfaqur princi.
Kujtojmë se Philip u tërhoq nga jeta publike në vitin 2017 dhe thuhet se vitet e fundit ai nuk ka qenë mirë me shëndetin. Ai u shtrua në spitalin King Edward VII pak para Krishtlindjeve 2019 dhe kaloi katër ditë duke u trajtuar. Në vitin 2011 ai vendosi një stenë në zemër dhe pas kësaj iu desh te hiqte dorë nga hobi i tij i xhirimeve dhe tabloidët britanikë kanë spekuluar vazhdimisht se ai nuk ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
(R.G/Faxweb.al)
/faxweb
