Pasi lajmëroi ditën e Marte mbylljen e aktivitetit, platforma e investimit në monedha kriptografike Bitconnect tha ditën e Mërkure se pavarësisht mbylljes së platformës të investimit, bursa BCC do të vijojë të funksionojë normalisht dhe shërbimi i portofolit do të qëndrojë operacional.
Bitconnect tha se në 10 ditët e ardhshme të gjithë anëtarët e platformës jashtë shteteve të Bashkuara do të mund të marrin pjesë në ICO-në e BitConnect X.
Kjo ICO do të lançohet për të mbështetur mbajtësit e monedhave BCC për të fituar sadopak stabilitet pas ngjarjeve të ditëve të fundit.
Kompania gjithashtu tha se rënia drastike e çmimit nga 200 dollarë në 20 dollarë vjen si rezultat i këmbimit të monedhave nga anëtarët në të njëjtën kohë.
Aktualisht janë 9.6 milion monedha BCC në qarkullim nga totali prej 28 milionësh.
Ditën e djeshme Përmes një njoftimi në uebsajt, platforma tha se do të ndalonte aktivitetin si rezultat i presionit të lartë mediatik dhe sulmeve DDoS të vazhdueshme.
Ndërsa platforma thotë se do të rimbursojë të gjitha investimet me një vlerë prej 363.62 dollarësh për BCC, monedha e Bitconnect ka rënë me 80% dhe aktualisht tregtohet me vetëm 40 dollarë.
Komuniteti i monedhave kriptografike vazhdimisht ka akuzuar hapur Bitconnect për mënyrën e funksionimit ngjashëm me një skemë ponzi akuza të cilat kanë mbërritur deri tek themeluesi i Ethereum Vitalik Buterin.
Fitimi duke shfrytëzuar luhatjet në bursa është plotësisht e ligjshme. Por premtimi i Bitconnect është përtej imagjinatës sepse garanton fitime marramendëse andaj shihej si një skemë ponzi. /PCWorld Albanian

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re