Këtë vit arsimor, Bashkia e Tiranës ka mbështetur me bursa 2926 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, të cilët kanë dalë me rezultate të shkëlqyera në mësime.

“Bursa është një kontribut i qytetit, jo për t’ju bërë të pasur, por për t’ju thënë, jo vetëm nxënësve me dhjeta, por edhe të tjerëve, se nëse duan të ecin përpara në jetë, duhet të mësojnë fort, derisa t’ia dalin, duke mos u dorëzuar e duke na bërë të gjithëve krenarë. Prindërit tuaj janë njerëz të thjeshtë, vijnë nga familje që kanë sakrifikuar shumë, disa prej tyre ndoshta ia kanë nisur nga zero në Tiranë, ndaj kam veç mirënjohje për ta, për nënat, baballarët, gjyshërit dhe gjyshet tuaja”, tha Veliaj.

Përveç bursave nga janari, për nxënësit me rezultate të shkëlqyera në mësime. , Bashkia e Tiranës do të mundësojë kurse digjitale falas te Piramida.

“Duke filluar nga data 1 Janar, të gjitha kurset tona do të jenë falas. Bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim kemi vendosur që, për çdo djalë dhe çdo vajzë që dëshiron të marrë njohuri digjitale, ne do t’ua paguajnë bursën e plotë. Pavarësisht si e ka mbiemrin, pavarësisht nga çfarë familje vjen, pavarësisht nga e ka origjinën, ku jeton, dhe pavarësisht gjendjes ekonomike, çdo çun dhe çdo gocë në Tiranë duhet ta ketë njësoj mundësinë që aftësohet me kurse digjitale”, u shpreh Veliaj.

Veliaj bëri edhe një apel për këdo që ka mundësi për të kontribuuar këtë fundvit e për t’iu gjendur pranë familjeve në nevojë, duke dhuruar diçka në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës. /

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re