Analisti Andi Bushati thotë se ambasadorja e SHBA, Yuri Kim po përpiqet të krijojë idenë se mes PD dhe PS ka dialog dhe kjo gjë i shërben Ramës për të “sunduar duke përçarë PD”.

Ai tha se ka një shpjegim “pse po përpiqet ambasadorja të na krijojë një imazh klishe sikur janë në paqe ndërkohë që PS-PD janë në luftë”.

“Rama pasi fitoi zgjedhjet tha së ky është mandati që do t’i shtrojë dorën opozitës. Klishetë që shpërndanë Yuri Kim janë zgjatim i atyre që tha Rama me gojë dhe duket sikur ato që tha u plotësuan”, tha Bushati.

Sipas Bushatit “opozita ka një hall të madh se është e përçarë” dhe sipas tij “ambasadorja duke i treguar deputetët e Bashës krah për krah me socialistët i delegjitimon pasi “akuza e kundërshtarëve brenda PD është që jeni në pakt me Ramën”.

Por analisti Baton Haxhiu thotë se fotografitë e ambasadores me përfaqësues të PS dhe PD janë “një moment civil në Shqipëri që e shohim shumë radhë”.

Ai theksoi se qëllimi kryesor i këtyre takimeve është anashkalimi i Sali Berishës.

“Ambasadorja dëshiron të thotë që këto janë dy forca politike kryesore në vend dhe çfarë ndodh jashtë Kuvendit është populizëm i panevojshëm, për t’i dhënë legjitimitet PD dhe për të anashkaluar Berishën”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re