Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehet kritik me punën e shtetit shqiptar në raport me diasporën.
Duke folur sot gjatë seancës parlamentare ku po diskutohej ratifikimi
i marrëveshjes me Kanadanë, ai deklaroi se jemi në vendet e fundit në
Europë, ku diaspora nuk ka të drejtën për të votuar dhe se ata kërkojnë
njohje të kontributeve, për të pasur edhe një numër vendesh në Kuvend të
dedikuar për ta.
“Për diasporën kemi bërë pak, jemi përpjekur për të revulocionizuar
shërbimet konsullore, me sa më pak abuzim. Por, kemi dobësi si shtet dhe
shoqëri për të mbrojtur shqiptarët jashtë atdheut, duhet të mbështesim
financiarisht edhe këtë si prioritet”, u shpreh Bushati.
Ai deklaroi se 30 vite pas rënies së komunizmit jemi duke përjetuar
një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, “por nga mpirja që
sjell mungesën e shpresës, nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar
një sistem vlerash”.
Bushati kërkoi që të jemi të drejtpërdrejtë e të sinqertë me këtë
temë, duke shtuar se “Nuk mund të themi dot dhe vetëm që jemi vendi i
Shqiponjave, i Skënderbeut apo i Nënë Terezës. S’mund të përdorim një
patriotizëm fals, të mbushim stadiume e të brohorasim sa herë ka
ndeshje. Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të
jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë
diasporën në qendër të tyre”, tha ish-ministri.