Më 26 prill në mëngjes Partia Socialiste do të jetë forcë e parë politike në Shqipëri, dhe kryeministër do të jetë Edi Rama. Kështu deklaroi gjatë një intervistë në emisionin ‘Pa Protokoll’ në Report Tv, drejtuesi i qarkut politik në Tiranë, Ervin Bushati. Bushati tha se PS ka një ekip për të fituar zgjedhjet dhe se në Tiranë synojnë 20 mandate.

‘Është një listë fituese. Duam të marrim pushtetin. Nuk është menduar si një tramavaj që ka gjysmën e listës fantazëm. Janë të gjithë për të qenë opozitar në parlament. Ky që shikoni këtu është një ekip i gjerë dhe i thellë. Është një ekip që ka të rinj.

PD nuk ka bërë asnjë ndryshim asnjë prurje. Ne kemi prurje, ne jemi ekip i thellë ne harmonizojmë ekzekutivin me legjislativin. Ne kemi tagër që të marrim 20 mandate në Tiranë. Ne kemi një ekip për të fituar zgjedhjet dhe kemi një orientim që është ndjek një politikë të majtë.

Programi i PD-së është i njëjtë si programi i 2005. Me 26 prill në mëngjes PS do të jetë forca e parë politike dhe në bëjmë qeverisjen. Kryeministër do të jetë Edi Rama.’- tha Bushati.

Ndërkohë Ilir Beqaj drejtues i PS-së në Qarkun Shkodër tha se PS synon që të fitojë 4 mandate objektiv bazë dhe 5 mandate në objektivat optimale. Po ashtu Beqaj tha se dy forcat politike të djathta, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit do të marrin vota nga PD.

‘Objektivi bazë është për 4 mandate. Objektivi maksimal i përcaktuar është 5 mandate. Në Shkodër loja politike është më e larmishme me konkurrentë konkretë që nuk janë prezentë në qarqe të tjera. E kam fjalën për partinë e Topallit, Patozit. Përveç LSI-së dhe PSD-së konkurrencën e drejtpërdrejtë ne e kemi me PD-në. Janë edhe dy forcat e djathta që marrin vota djathtas jo majtas.’-tha Beqaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re