Modeli i tolerancës fetare që ofron Shqipëria kosiderohet si një shembull që duhet të ndiqet nga vendet e tjera. Ministri i Jashtëm Bushati evidentoi në takimin e lirive fetare në SHBA nevojën e rritjes se bashkëpunimit për parandalimin e esktremizmit të dhunshëm.
 
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati gjendet në Uashington për të marrë pjesë në Ministerialin mbi “Lirinë Fetare” organizuar nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.
 
Kreu i diplomacise shqiptare vlerësoi organizmin e një konference të tillë dhe shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të mbajtur një konferencë të ngjashme edhe në rajonin e Ballkanit, në bashkëpunim me SHBA-të. Bushati u ndal tek sfidat me të cilat po përballet shoqëria dhe nevojen e adresimit të tyre me fqinjët në nivel rajonal.
 
Për ministrin Jashtëm, në ditët e sotme, feja ka fituar një rëndësi të veçantë, konkretisht në kontekstin e grupeve ekstremiste që përpiqen të shtrembërojnë rregullat themelore të doktrinës së vërtetë fetare.
Duke iu referuar vendit tonë, Bushati bëri me dije masat e marra nga Shqipëria e cila prej vitit 2015, ka investuar kohë, energji dhe burime të jashtëzakonshme në ngritjen e një rrjeti rajonal koordinatorësh dhe institucionesh të fokusuara në luftën kundër terrorizmit të dhunshëm.
 
“Duke qenë një vend tolerant ndër-fetar, ne e dimë se sa e brishtë mund të jenë toleranca dhe bashkëjetesa, veçanërisht në kohë komplekse si këto.  Prandaj, mësimdhënia e nxënia e asaj çka bashkon më tepër sesa e asaj çka ndan fetë e ndryshme, për ne është çështje e natyrës etike dhe pragmatike”.
 
Në fund të fjalës së tij ai solli në vëmendjen e të pranishmëve traditën e shkëlqyer të harmonisë së fortë ndër-fetare në Shqipëri, e cila nxiti Papa Françeskun të bënte vizitën e tij të parë evropiane në Shqipëri në vitin 2014.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re