Policia e Shtetit do të ketë një rritje pagash prej 15%.

 

Këtë gjë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë seancës plenare.

 

Në fjalën e tij ai tha se fokusi i buxhetit 2023 është përballimi i inflacionit të luftës dhe forcimi i mbrojtjes së sistemeve tona dixhitale nga sulmet kibernetike.

 

“Për të adresuar efektet e inflacionit të luftës, por edhe për të trajtuar më mirë financiarisht punën e Policisë së Shtetit, në këtë buxhet kemi një nga rritjet më të larta të pagave. Plot 15% rritje për rreth 74% të trupës së Policisë së Shtetit, ku përfshihen punonjësit e nivelit bazë me gradat Inspektor, Inspektor i nivelit të parë, Inspektor i nivelit të dytë. Ndërsa për gradat Komisar e Nënkomisar, ku janë rreth 20% e trupës të punonjësve me grada, rritja e pagave do të jetë në nivelin 7%.

 

Po kështu rritje pagash me 7% ka për 1300 punonjësit e Gardës së Republikës, po kaq edhe për zjarrfikësit. Ndërsa për punonjësit e AMP, rritja është mesatarisht në masën 13% për 86% të punonjësve”, tha Çuçi.

 

Sa i përket investimeve në teknologji për sistemet dixhitale dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike, ministri i Brendshëm deklaroi se fondi është rritur me 7.6 herë si kurrë më parë.

 

“Dua të theksoj kapërcimin kolosal që ne kemi bërë në buxhetin e vitit 2023, duke rritur me 7.6 herë investimet në teknologji dhe sigurinë kibernetike në Policinë e Shtetit. Nëse në vitin 2022 investimet në fushën e teknologjisë në Policinë e Shtetit, me fonde të brendshme, kanë qenë 72 milionë lekë, në vitin 2023 ne kemi parashikuar të investojmë plot 547 milionë lekë. Pjesa më e madhe e investimeve shkon pikërisht në rritjen e sigurisë kibernetike për të përballuar pasojat e sulmit kibernetik dhe për të forcuar sigurinë e sistemeve dixhitale të ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit. Po për sigurinë kibernetike, krahas buxhetit të Ministrisë së Brendshme, do të financojë edhe AKSHI 278 milionë lekë në Policinë e Shtetit”, deklaroi ministri Çuçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re