Partia Demokratike ka prezantuar amendamentin për ndryshme në projekt buxhetin për vitin e ardhshëm për rimëkëmbjen e grave të prekura nga kanceri i gjirit.

Ishte deputetja dhe njëherësh kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësinë, Zheni Gjergji e cila ka njoftuar se ka dërguar amendamentin përkatës drejt Komisionit në fjalë.

Në këtë amendament të radhës, midis tetë të tjerëve, të paralajmëruar nga PD, propozohet që të caktohet një fond prej 600 milionë lekë, si mbështetje për gratë që vuajnë nga pasojat e kancerit të gjirit.

“Kjo shumë do të ndihmonte gratë për të rikuperuar pasojat, e do të shërbente për ringritjen e tyre sado pak emocionalisht, duke bërë të mundur mbulimin e shpenzimeve për paruket dhe protezën e gjirit”, shkruan në kërkesën e saj deputetja demokrate.

Më tej, ajo shton se “amendamenti është tashmë zyrtarisht i depozituar, lypset vetëm ndjeshmëria e duhur nga qeveria për ta bërë realitet këtë mbështetje për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.”

Amendamenti i Plotë:

Bazuar në nenin 75, pika 4 e Rregullores së Kuvendit, paraqes amendamentin e mëposhtëm në projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024” në variantin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave:

Të parashikohet një shtesë fondi në shumën 600 milionë lekë për rimbursimin e shpenzimeve për protezat e rikonstruksionit të gjirit dhe paruket për gratë e diagnostikuara dhe në trajtim mjekësor për kancerin e gjirit (artikulli 604).

DEPUTETI  PROPOZUES

Zheni GJERGJI

Argumentimi për amendamentin e propozuar në projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024”

Sëmundjet nga kanceri, që prekin gratë në Shqipëri, po njohin rritje nga viti në vit. Po ashtu, sipas të dhënave nga INSTAT, humbja e jetës nga sëmundshmëri onkologjike është ndër shkaqet kryesore për gratë. Numri i grave me sëmundjet tumorale të gjirit është disa herë më i lartë se sa ai që diagnostikohet, kjo për shkak të shumë arsyeve që rrjedhin nga mungesa e aksesimit në çdo komunitet të mamografisë, por dhe barrierave sociale e kulturore ende të shfaqura në shoqërinë tonë.

Ndaj, për çdo grua, që diagnostikohet me kancer gjiri dhe nis trajtimin mjekësor me kemioterapi, përveç rrezikut madhor dhe tragjik për humbjen e jetës, lindin vështirësi të tjera që lidhen me nevojën për t’u ndjerë sërisht grua me dinjitet. Aplikimi i parukes, apo dhe aplikimi i një proteze për rikonstruksionin anatomik të gjirit është një e drejtë për t’u ndjerë përsëri grua dhe femër me dinjitet. Megjithatë, kostot e larta që lidhen me qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e materialeve që përdoren për këto dy elemente thelbësore, ia pamundësojnë shumë grave në Shqipëri. Kostoja për një paruke dhe rikonstruksion me protezë të gjirit, së bashku arrijnë një vlerë mesatare prej 200,000 lekësh.

Nisur nga kjo, propozoj sigurimin e një zëri të veçantë për ofrimin e parukes dhe rekonstruksionin e protezës së gjirit për të gjitha gratë që diagnostikohen me kancer të gjirit, të cilat i nënshtrohen mastektomisë dhe kemioterapisë, pasi është përmbushje e një akti social dhe dinjiteti që ka detyrimin shteti t’ua afrojë të gjitha qytetareve. Ky shërbim bazë kontribuon drejtëpërdrejtë në zvogëlimin emocional të sëmundjes dhe integrim më të shpejtë e dinjitoz të pacientes në jetën e përditshme. Motivimi dhe mbështetja emocionale janë elementë të rëndësishëm në efektshmërinë e trajtimit të kësaj sëmundjeje.

Prandaj, propozoj që në  artikullin 604 të parashikohet një shtesë fondi në shumën 600 milionë lekë për rimbursimin e shpenzimeve për protezat e rikonstruksionit të gjirit dhe paruket për gratë e diagnostikuara dhe në trajtim mjekësor për kancerin e gjirit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re