Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka prezantuar përmes një videomesazhi në Kuvend projektbuxhetin e vitit 2027, i cili kap vlerën e 10 miliardë eurove.
Koçiu u shpreh se rritja ekonomike duhet të përkthehet në përmirësim konkret të kushteve të jetesës së qytetarëve, duke ndikuar te çmimet e produkteve ushqimore, kostot e karburantit, të ardhurat e pensionistëve, përkrahja për fëmijët dhe mundësitë që u ofrohen të rinjve.
Sipas zëvendëskryeministres, projektbuxheti është një tjetër hap drejt synimit për një Shqipëri europiane, ku familjet të kenë më shumë stabilitet ekonomik dhe siguri për të ardhmen.
“Një ekonomi më e fortë duhet të ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve: në shportën e ushqimeve, në faturën e karburantit, në të ardhurat e pensionistëve, në mbështetjen për fëmijët dhe në mundësitë për të rinjtë.
Ky është thelbi i Buxhetit 2027, prej 10 miliardë eurosh, dhe vizioni ynë për Shqipërinë Europiane: një vend më i zhvilluar, ku çdo familje ka më shumë siguri për të sotmen dhe më shumë besim te e ardhmja”- tha Koçiu.
