Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu thotë se në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm nuk është parashikuar asnjë shtesë pagash për punonjësit e shëndetësisë.

Në një postim në “Facebook”, Shehu shkruan se për PPP-të janë parashikuar mbi 40 milionë dollarë. Ai e cilëson buxhetin e vitit 2020 si buxhetin e varfërisë së thellë e i vazhdimit të eksodit masiv të profesionistëve tanë të shëndetësisë.

POSTIMI I TRITAN SHEHUT

Asnjë shtesë pagash për punonjësit e shëndetësisë në 2020-ën.

Ndërsa për PPP-të abuzive, korruptive, monopolizuese të sektorëve, apo shkatërruese të funksionit të institucioneve shëndetësore është parashikuar shifra rekord prej mbi 40 M $.

Në projekt buxhetin për vitin e ardhshëm nuk është parashikuar as shtesa e pagave për të indeksuar inflacionin.

Pra, realisht ka vetëm rënie të tyre, duke u thelluar diferenca prej disa herësh qoftë edhe me vendet e Rajonit, midis të cilëve edhe Kosova që vendosi pagën minimale për mjekët 1200 E dhe për infermierët 700 E.

Pa asnjë dyshim ky është një nga treguesit e thellimit të varfërisë ekstreme të sistemit tonë shëndetësor, mungesës së çdo stimuli e shprese pozitive për këtë sektor e punonjësit e tij, një nga shkaqet e braktisjes masive të vendit nga mjekët, infermierët etj.

Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe, një sistem në rrënim, i fundit në Europë e afër nivelit afrikano qendror në financimin e tij e nivelin e shërbimit që ofron, gjenerues vetëm i një niveli mizerje financiare për personelin, nuk mund të mos braktiset masivisht.

Pra buxheti i 2020, të cilin do ta analizoj në disa aspekte në ditët ne vazhdim, do të jetë veçse buxheti i varfërisë së thellë e i vazhdimit të eksodit masiv të profesionistëve tanë të shëndetësisë, duke arritur shifra të frikshme të mjekëve te ne.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re