Kryeministri Edi Rama, njoftoi sot se së shpejti pranë Pediatrisë në QSUT do të hapet një shkollë, që do të mundësojë që fëmijët e shtruar në spital të ndjekin lëndët dhe mos të ngelin prapa me mësimet.
Gjatë fjalës së tij nga QSUT, Rama tha se kjo shkollë vjen në Shqipëri falë bashkëpunimit me miqtë izraelitë.
Gjithashtu Rama theksoi se buxheti i këtij viti është një ndër buxhetet më të larta që ka pasur vendi ynë në sektorin e Shëndetësisë.
Fjalimi i kryeminstrit Rama u bë gjatë vizitës që zhvilloi sot në mjediset e reja të QSUT së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu.
Rama u takua sot me stafin e mjekëve dhe infermierëve, si dhe mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij.
Edi Rama: Më vjen shumë mirë që vij përsëri këtu për një tjetër derë që hapim në këtë qendër spitalore, ku transformimi tanimë është i gjithanshëm dhe ku ende pak struktura mbeten për t’u integruar në këtë tërësi të transformuar.
Më vjen shumë mirë, po ashtu, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë dhe transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive, në mos gabohem.
Është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliardë euro, një buxhet i lartë dhe paimagjinueshëm disa vite më parë, të cilin do të bëjmë çmos ta realizojmë me cilësi dhe duke rritur kapacitetet, jo vetëm këtu në Qendrën Spitalore, por edhe në të gjithë rrjetin e shërbimit shëndetësor të Republikës, por duke ndaluar këtu, më vjen shumë mirë që në ndërkohë jemi thuajse në përfundim të punës për të futur dhe një shërbim tjetër, i cili është një shërbim i ri, falë një bashkëpunimi me një organizatë shumë të njohur në fushën e mbështetjes së fëmijëve, miq izraelitë që janë ofruar të sjellin këtu këtë shërbim që është shkolla pranë Pediatrisë dhe që do t’u japë mundësinë fëmijëve që qëndrojnë në Spitalin Pediatrik, që njëkohësisht të marrin dhe mësim dhe të mos mbeten mbrapa me shkollë, por natyrisht me një metodë dhe me një program që i përshtatet edhe gjendjes së tyre jo optimale shëndetësore.
Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që tanimë kemi materializuar edhe projektin e partneritetit në menaxhimin e spitaleve. Kanë ardhur menaxherët nga Turqia, të cilët do të qëndrojnë për disa ditë në Spitalin Memorial dhe pastaj do të vendosen në spitalet që tanimë kanë kartën e autonomisë spitalore, përfshirë dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, çka do të na japë një ndihmë shumë të madhe në atë që vërtetë na mungon ose që është vërtetë pika më dobët sot në sistemin tonë spitalor, që është menaxhimi profesional, përtej administrimit që bëhet në pavijone nga shefat e pavijoneve.
Këtu flasim për menaxhimin profesional të një sistemi të ri, që bazohet tek autonomia spitalore që do të thotë që gjithmonë e më shumë fonde do të spostohen nga duart e qeverisë dhe ministrisë në duart e vetë komuniteteve spitalore, që do të thotë që, përveç administrimit rutinë të pavijoneve duhet të ndërtohet një qeverisje e spitaleve në kuptimin e plotë të fjalës, në mënyrë që me të gjitha burimet financiare dhe me burimet njerëzore të bëhet më e mira për pacientët, të bëhet më e mira për mjekët dhe të krijohen kushtet që të gjithë të jenë të shpërblyer sipas kontributit dhe jo thjesht me atë pagën tavan e në ndërkohë, të gjithë ata, që vijnë në dyert e shërbimit publik të jenë të mirëshërbyer në çdo nivel.
Kemi një sërë projektesh me shumë rëndësi përpara në drejtim të shërbimit gjinekologjik, ashtu sikundër kemi dhe një sërë projektesh për të vazhduar me ripërtëritjen e qendrave shëndetësore sepse siç ju e dini më mirë se të gjithë, rënia e presionit, ulja e presionit që ka qenë i jashtëzakonshëm ka filluar të ulet, por prapë është i madh mbi Qendrën Spitalore, është një domosdoshmëri dhe fuqizimi i niveleve të tjera është rruga për ta balancuar këtë, duke i dhënë mundësi qendrës suaj që të jetë një qendër realisht universitare.
Në këtë aspekt, jam shumë i lumtur që programi i partneritetit me qendrën spitalore SHEBA në Izrael është në rrugën e duhur.
Puna e përbashkët në spitalin onkologjik ka nisur, ndërkohë që, siç e kam thënë do të shtrihet në të gjithë qendrën spitalore dhe po ashtu, jemi duke diskutuar dhe për hapjen e një laboratori këtu të Inteligjencës Artificiale që do të jetë një laborator rajonal, pjesë e kostelacionit të laboratorëve të SHEBA-s që do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë personelin shëndetësor të këtushëm, por edhe në të gjithë rajonin dhe njëkohësisht që do të na japë mundësi që të përfitojmë nga puna e laboratorëve të tjerë të këtij kostelacioni, duke hapur praktikisht një perspektivë të re për mjekët që janë të dëshiruar të eksplorojnë më shumë në profilin e tyre dhe janë të dëshiruar të kontribuojnë më shumë për të sjellë inovacion dhe për të sjellë zgjidhje të reja përmes teknologjisë.
Më vjen shumë mirë, që sot mund të flasim për ndërhyrje realisht të paimagjinueshme, deri disa vite më parë në Qendrën Spitalore, për operacione fëmijësh, për shembull, me probleme që, deri dje adresoheshin vetëm në spitalet jashtë vendit.
Më vjen shumë mirë, po ashtu, që kjo ndodh në të gjitha nivelet dhe herë pas herë shohim se si mjekët e Qendrës Spitalore Universitare realizojnë ndërhyrje tejet të sofistikuara me shumë sukses, gjë që na bën shumë krenarë për gjithçka ju bëni, por edhe për faktin që mesa kemi mundur dhe mesa do të mundemi, do të vazhdojmë që të përmirësojmë dhe të lehtësojmë kushtet e punës, duke i dhënë mundësi të gjithë atyre që punojnë në këtë qendër që të vijnë në punë dhe të kenë të gjitha mundësitë për të ushtruar me cilësinë më të lartë këtë profesion, që lidhet me jetën e njerëzve.
