Ligjet më të rëndësishme financiare të vitit, buxheti e paketa fiskale, u miratuan mes protestës dhe revoltës së deputetëve të opozitës në sallën e parlamentit.

 

Deputetët demokratë mbërritën herët në parlament për të bllokuar foltoren e kuvendit, duke ndërtuar një barrikadë me karrige dhe në disa momente ligjvënësit e opozitës u përplasën edhe fizikisht me forcat e gardës së republikës.

 

Pavarësisht aksionit të opozita e mazhoranca socialiste mes tymueseve dhe kapsollave miratoi me 74 vota pro buxhetin dhe paketën fiskale nen për nen dhe në tërësi. Seanca zgjati me pak se 8 minuta dhe nuk pati asnjë diskutim, por vetëm u zhvillua procesi i votimit.

 

Të vetmit që dolën kundër protestës së opozitës dhe morën pjesë në votim ishin 4 deputetët që njohin kryetar Lulzim Bashën. Vete Basha nuk mori pjesë në seancë, por deputetet Flutura Açka, Merita Bakiu, Andia Ulliri dhe Selaudin Jakupllari votuan kundër buxhetit.

 

Në kushtet kur Sali Berisha, Gazment Bardhi e Flamur Noka mungonin në seancë për shkak se janë përjashtuar, protesta e opozitës u udhëhoq nga Salianji, Nallbati e Dogjani. Këtë herë opozita për të treguar se aksioni i saj nuk është vetëm bllokimi i parlamentit, propozoi edhe amendamente për buxhetin, por ato u rrëzuan nga mazhoranca socialiste.

 

E ndërsa opozita është e vendosur të vazhdojë bllokimin e parlamentit, duket se dhe mazhoranca nuk do të ndryshojë qëndrim pavarësisht thirrjes së faktorit ndërkombëtar për dialog.

 

“Grupi parlamentar i PS nuk e vendos agjendën sipas ndërkombëtarëve. Unë nuk shoh ndonjë trysni nga partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje. Ne jemi në institucione, ata dhunojnë, ata prishin. Duhet që ata të ulin flakadanët që të flasim”, tha Bledi Çuçi.

 

Në themel të protestës së opozitës qëndron kërkesa e saj për ngritjen e komisioneve hetimore si dhe kërkesa që mazhoranca socialiste të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Partisë Demokratike, duke përcaktuar kush është kreu i grupit të PD dhe cili është përfaqësuesi i PD në komisionin e reformës zgjedhore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re