Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka komentuar relacionin për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Sipas tij, qeveria edhe kësaj radhe “do të vazhdojë të mbushë me para koncesionet që janë goditur nga SPAK.”

Sula rendit në shkrimin e tij në Facebook të gjithë koncesionet e faktuara korruptive, të cilat sipas tij, do vijojnë të financohen edhe gjatë 2024-ës.

Listën e këtyre koncesioneve e kryeson Rruga e Arbrit, përmes së cilës sipas tij, “kuptojmë se sa shumë para janë vjedhur pasi rruga është e prishur dhe me shumë problematika.”

Postimi i plotë i deputetit të PD, Dashnor Sula:

Qeveria do vazhdojë të mbush me para koncesionet që janë goditur nga SPAK.

135 milionë euro nga taksat që paguajnë qytetarët shqiptarë, qeveria ka planifikuar që t’ja japë miqve të vet që kanë marrë koncesione ndonëse disa prej tyre janë faktuar si korruptiv nga SPAK.

“Për vitin 2024, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.3 miliardë lekë,” thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2024.

Pra, qeveria jo vetëm që nuk anulon pagesat për koncesionet që janë faktuar tashmë nga Prokuroria e Posaçme si korruptive, por rrit edhe më shumë buxhetin për të pompuar miliarda lekë tek miqtë e vetë. 10 milionë euro më shumë se ky vit janë parashikuar vitin e ardhshëm për koncesionet.

Në krye të listës, si koncesioni që do të marrë më shumë para nga buxheti qëndron rruga e Arbrit e cila nëse shohim lajmet sot kuptojmë se sa shumë para janë vjedhur pasi rruga është e prishur dhe me shumë problematika..

Në vendin e dytë, renditet një tjetër koncesion i shumëpërfolur. Bëhet fjalë për kontratën koncesionare të laboratorëve. Për vitin 2024, qeveria do të paguajë 1.85 miliardë lekë për bashkimin e kompanive koncesionare të shërbimit laboratorik, që kryesohet nga Labopharma e Janis Karathanos.

Më poshtë në vendin e tretë renditet një tjetër kontratë e shpallur si aferë korruptive me vendim gjykatë. Bëhet fjalë për koncesionin e sterilizimit, i cili vitin e ardhshëm do të paguhet plotë 1.76 miliardë lekë ose rreth 16.7 milionë euro.

Në vendin e katërt dhe të pestë renditen koncesioni i skanimit në dogana dhe ai i inceneratorit të Tiranës, të cilat do të marrin respektivisht nga 1.67 miliardë dhe 1.27 miliardë lekë.

Është e qartë pra të dashur qytetarë se përse refuzon kjo mazhorancë të miratojë kërkesat e opozitës për komisionet hetimore. Janë miliarda para dhe humbasin dhe rrezikohen vite e vite burg.

Ndaj, ne jemi të vendosur që në Kuvend, në Parlament nuk do të ketë jetë legjislative normale pa dhënë atë që opozitës ia garanton Kushtetuta. Komisionet hetimore për të çuar para përgjegjësisë çdo person që abuzon me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re