Në buxhetin e vitit 2023, Ministria e Brendshme ka venë në fokus sigurinë kibernetike, që u minua pas disa sulmeve nga hakerat iraninë, të cilët morën të dhëna sensitive nga e-albania dhe sistemet e policisë.

Në Komisionin e Sigurisë, ministri Bledi Çuçi tha se për sigurinë kibernetike, buxheti është rritur 7 herë më shumë se viti i kaluar.

 

BLEDI ÇUÇI

MINISTER I BRENDSHEM

Kapërcim kolosal për buxhetin e mbrojtjes kibernetike. Nëse në 2022 në teknologji të brendshëm, pa donatorë, kanë qenë 72 mln lekë, në vitin 2023 janë 547 mln lekë, mbi shtatë herë rritje me 2021. Pajisje me teknologji informacioni, dhe në veçanti për mbrojtjen kibernetike. Përveç buxhetit tonë, për Policinë e Shtetit do të financoj edhe AKSHI me fondet e veta, 278 mln lekë.

 

Pjesë e buxhetit të ri, është edhe rritja e pagave për efektivët e policisë.

 

Kemi bërë një rritje prej 15% nga e cila përfitojnë jo pak por rreth 75% e trupës policore. Kjo është një rritje dyfish më shumë krahasuar me pjesën tjetër të administratës që përfitoi vetëm 7%, por plotësisht e justifikuar sepse punonjësit e Policisë së Shtetit përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve.

 

Ndërkohë opozita u përplas me Çuçin jo vetëm për sigurinë kibernetike, por edhe për shkarkimin e Gledis Nanos.

 

FERDINAND XHAFERRI

DEPUTET I PD-SE

Kemi kërkuar prezencën në mënyrë urgjente të ministrit të Brendshëm lidhur me situatës së rendit dhe shkarkimin e Gledis Nanos. E kërkuam këtë seancë urgjente sepse po atë ditë, aleati ynë strategjik, SHBA, ambasadorja Yuri Kim, në një status qartësonte se Nano ishte partner i fortë me shumë kontribute. Nëse nuk ishin interesat e aleatit strategjik, kush ishin interesat që e shkarkuan?

BLEDI ÇUÇI

MINISTER I BRENDSHEM

Shkarkimi dhe emërimi i drejtorit të Përgjithshëm është administrative dhe çdo procedurë është bërë sipas ligjit. E dyta, lidhet me partneritetin tonë, me SHBA. Ju garantoj dhe jam i bindur që edhe ju e dini po kaq mirë se s’ka asnjë përplasje me partnerin tonë strategjik.

 

Sa i takon vdekjes së Lear Kurtit, Çuçi iu shmang përgjigjjeve të drejtpërdrejta, por bëri të ditur rivendosjen e sistemit të kamerave të trupit për patrullat e policisë.

 

Kamerat e trupit e kanë sistemin e ngritur dhe fondi nuk është shumë i madh, por tërësisht i përballueshëm brenda buxhetit të vitit 2023. Është në nivelin e 60 milionë lekëve në vit, një shumë që mund të përballohet nga buxheti i shtetit.

 

Pas debateve, buxheti për vitin 2023 i Ministrisë së Brendshme kaloi në parim vetëm nga mazhoranca, pasi opozita votoi kundër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re