Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miratoi buxhetin ushtarak për vitin fiskal 2022 në shumën totale prej 770 miliardë dollarësh.

Buxhetin ushtarak, përkatësisht Ligjin për autorizimin e mbrojtjes kombëtare e përkrahën gjithsej 363 kongresmenë, ndërsa i dolën kundër 70, raporton Reuters.

Buxheti tani duhet të miratohet nga Senati, pas së cilës do t’i dorëzohet presidentit për nënshkrim.

Sipas Reuters, ky është një buxhet vjetor i madh ushtarak, i cili është 25 miliardë dollarë më i lartë se sa kërkoi presidenti Joe Biden dhe pothuajse 5 për qind më i lartë se buxheti i vitit të kaluar.

Projektligji, i cili është rezultat i negociatave intensive mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, përfshin një rritje prej 2.7 për qind të pagave për ushtarët, si dhe blerjen e avionëve dhe anijeve detare, përveç strategjive për përballimin e kërcënimeve gjeopolitike.

Ky version i ligjit është punuar nga të dyja dhomat e Kongresit Amerikan dhe përfshin, ndër të tjera, dispozitën për ndarjen e katër miliardë dollarëve për Iniciativën Evropiane të Mbrojtjes, e cila, sipas agjencisë ruse TASS, është e drejtuar kundër Rusisë.

Një total prej 300 miliardë dollarësh do të ndahen për ndihmën ushtarake për Ukrainën, ndërsa 150 milion dollarë të tjera do të shkojnë për bashkëpunimin e sigurisë me vendet baltike.

Megjithatë, kongresmenët përjashtuan dispozitën për futjen e sanksioneve kundër projektit të gazsjellësit Nord Stream 2 nga projektligji i rënë dakord, duke hequr sanksionet individuale ndaj 35 rusëve, përfshirë ministra, biznesmenë dhe gazetarë, nga versioni përfundimtar.

Ligjvënësit gjithashtu hoqën një amendament që ndalon amerikanët të blejnë bono qeveritare ruse.

Sa i përket Kinës, buxheti përfshin 7.1 miliardë dollarë për Iniciativën e Mbrojtjes së Paqësorit, si dhe një deklaratë për mbështetjen amerikane për mbrojtjen e Tajvanit.

Një propozim që kërkonte që gratë të regjistroheshin në mënyrë që edhe ato të mund të rekrutoheshin për ushtrinë, u hoq nga versioni përfundimtar i ligjit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re