Mbyllja e Kategorisë së Parë dhe të Dytë në secilën prej grupe shpalli edhe skuadrat që ngjiten një kategori më lartë. Kështu janë Vllaznia dhe Bylis që do të rikthehen në Kategorinë Superiore, si fituese të grupeve A dhe B në Kategorinë e Parë. Ndërsa dy fitueset e grupeve në Kategorinë e Dytë u shpallën Tërbuni dhe Devolli dhe pas këtyre verdikteve gjatë kësaj jave janë luajtur fnalet e këtyre kategorive për të shpallur kampionet e kategorive përkatëse.

Bylisi i Ballshit është fituesi i trofeut në Kategorinë e Parë duke surprizuar të gjithë pasi ia ka dalë për t’ia marrë trofeun Vllaznisë. Shkodranët janë të parët që shënojnë me rumunin Ignat dhe Vllaznia e mbylli në avantazh fraksionin e parë të lojës duke shpresuar të bënte të vetën për herë të parë kupën e Kategorisë së Parë.

Në të dytën vjen edhe përmbysja mallakastriote. Fillimisht është sulmuesi Antoni që barazon shifrat ndërsa Bajramaj kalon për herë të parë në avantazh Bylisin. Në fund është mesfushori Ujka, të cilit i mjaftojnë vetëm tre minuta në fushë për të shënuar golin e tretë. Kështu Bylis fiton trofeun dhe 30 milionë lek të reja, si shpërblim i FSHF-së.

Në Kategorinë e Dytë kampion shpallen pukjanët e Tërbunit që ia dalin të rikthehen në Kategorinë  e Parë pas vetëm një sezoni. Pas pjesës së parë të mbyllur në barazim pa gola me nisjen e të dytës është Devolli që kalon përpara. Goli i shënuar nga Nallbati duket se po u jepte fitoren devollinjve por në limite është Metani që barazon shifrat me golin e tij.

Shtesat mbyllen me të njëjtin rezultat dhe kupa vendoset nga gjuajtjet e penalltive ku pukjanët janë më të saktë dhe fitojnë 4-1 duke fituar kupën dhe 20 milionë lek shpërblim. Kështu pas fitores së Partizanit në Kategorinë Superiore në futbollin shqiptar shpallen edhe kampionët e kategorive inferiore, të cilat ngrenë trofetë dhe përfitojnë shpërblimet përkatëse./Berati.TV

FINALJA E KATEGORISË SË PARË
E enjte, më 23 maj 2019, ora 16:00

VLLAZNIA-BYLIS 1-3
Shënues: Ignat 17’ / Antoni 48’, Bajramaj 61’, Ujka 83’

Vllaznia: Selimaj, Zeqaj (Zogaj 62’), Ignat, Malota, Gurishta, Krymi (Hajdari 74’), Tafili, Gocaj (Marku 60’), Lika, Kruja, Zhunior. Trajner: Agim Canaj

Bylisi: Bytyçi, Franklin (Ymeraliaj 84’), Janku, Samda, Peposhi, Murataj, Barjamaj (Ujka 80’), Zefi, Lamçja (Kullira 94’), Anthoni, Guindo. Trajner: Veljke Dovedan

Karton të verdhë: Malota 88’ / Kullira 92’
Kartonë të kuq: Gurishta 90’ / Zefi 90’

FINALJA E KATEGORISË SË DYTË
E mërkurë, më 22 maj 2019, ora 16:00

 

Tërbuni 1 – 1 Devolli
Shënues: Metani 90+1 / Nallbati 65’

11-metërshat
4 – 1

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re