Skip to content

“Bylisi po shkatërrohet”, Auron Tare dhe Neritan Ceka akuza për ndërhyrjet në parkun arkeologjik: Institucionet janë shpartalluar

7897897899

Arkeologu Auron Tare dhe profesori Neritan Ceka kanë ngritur shqetësime të forta për mënyrën se si po realizohen projektet e restaurimit dhe ndërhyrjet në parqet arkeologjike në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht te Bylisi. Të ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ata kritikuan mungesën e kontrollit institucional, përdorimin e fondeve dhe përjashtimin e specialistëve të arkeologjisë nga projektet që prekin trashëgiminë kulturore.

Auron Tare deklaroi se ka ardhur koha që jo vetëm institucionet shqiptare, por edhe Bashkimi Europian të japë llogari për projektet që financohen me fondet e tij, nëse ato dëmtojnë zonat arkeologjike. Ai kërkoi që ambasadorja e BE-së të japë shpjegime për mënyrën se si janë përdorur këto fonde.

Sipas Tares, me fondet që po shpenzohen për projekte të tilla, Bylisi mund të ishte restauruar plotësisht, përfshirë teatrin, godinat përfaqësuese dhe mozaikët. Ai e cilësoi këtë qytet antik si një pasuri me rëndësi të veçantë kombëtare, që duhet të ishte në fokus të institucioneve shqiptare.

Tare solli si shembull edhe ndërhyrjet në parkun arkeologjik të Finiqit, ku pretendoi se një kompani e kontraktuar për restaurimin ia kishte kaluar punimet një firme lokale, e cila kishte përdorur ekskavatorë pranë mureve antike.

“Dy ekskavatorë kishin shkuar majë mureve të Finiqit, mure që janë 2500 vjet dhe i fusin me ekskavator. Shkoni shikoni çfarë është bërë në Finiq. Nuk ka bërë vaki në Europë që të bëhen këto lloj ndërhyrjesh në muret antike me ekskavator”, u shpreh ai.

Ndërsa profesori Neritan Ceka kritikoi reformën institucionale në fushën e trashëgimisë kulturore, duke deklaruar se institucionet që më parë merreshin me restaurimin dhe ruajtjen e monumenteve janë dobësuar ndjeshëm.

“Institucionet shqiptare janë shpartalluar. Nuk ka Instituti i Monumenteve, i cili ka qenë memoria e mbi 50 viteve të restaurimit të monumenteve, arkivat, njerëz të specializuar. Sot të gjitha projektet që bën Ministria e Kulturës apo institucione të tjera të lidhura me trashëgiminë bëhen me tendera. Pra, restaurimi i monumentit tenderohet”, deklaroi Ceka.

Ai theksoi se më parë ndërhyrjet realizoheshin përmes Institutit të Monumenteve dhe Institutit të Arkeologjisë, ndërsa sot, sipas tij, projektet fokusohen te kompanitë që fitojnë tenderat, pa një përfshirje të mjaftueshme të stafit shkencor.

Ceka u ndal edhe te projekti në Bylis, duke pretenduar se ndërhyrjet po kryhen pa praninë e arkeologëve në terren, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar mes kooperacionit italian dhe Institutit të Arkeologjisë. Ai kritikoi gjithashtu Ministrinë e Kulturës për mungesën e kontrollit dhe monitorimit të punimeve.

Profesori ngriti edhe shqetësimin për mosangazhimin e specialistëve shqiptarë, duke thënë se në Vlorë ka pesë arkeologë, por asnjëri prej tyre nuk shkon të punojë në Bylis.

“Ministria e Kulturës ka vite që nuk shkel në Bylis. Ka pesë arkeologë, punojnë pesë arkeologë vetëm në Vlorë dhe asnjë prej tyre nuk vjen në Bylis të punojë”, u shpreh ai.

Ceka kritikoi edhe mënyrën se si po përdoren fondet e parashikuara për këtë park arkeologjik. Sipas tij, ndërsa ekipet e arkeologëve punojnë me buxhete shumë të kufizuara, projektet e financuara me miliona euro nuk po sjellin rezultatet e pritshme.

Ai përmendi gjithashtu vendimin e Këshillit të Ministrave të 4 gushtit 2024, duke sfiduar institucionet që të tregojnë konkretisht se çfarë është realizuar në Bylis me fondet e parashikuara.

“Po të shkojë në Bylis dhe të gjejë, përveç kësaj ngrehine prej betoni që do të jenë vetëm katër mure, po gjeti gjë tjetër nga 6-milionshi, atëherë të më thotë që unë jam gënjeshtar dhe ai është patriot”, deklaroi Ceka.

Sipas profesorit, Bylisi është një nga dëshmitë më të rëndësishme të qytetërimit antik në territorin shqiptar, me teatër, stadium, stoa, cisterna dhe ndërtime të organizuara urbane. Ai theksoi se ruajtja e kësaj pasurie kërkon angazhim të specialistëve dhe përgjegjësi nga institucionet që administrojnë trashëgiminë kulturore.