Partia Demokratike me firmën e Sali Berishës do të çojë brenda pak ditëve në komisionin qendror të zgjedhjeve listën e anëtarëve për komisionet zonale të administrimit zgjedhor.

 

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaron se KQZ duhet të pranojë komisionerët e PD; pasi prej muajit mars ka një vendim gjykate që njeh kuvendin e 11 dhjetorit dhe rrjedhimisht të gjitha organet drejtuese të PD.

 

OERD BYLYKBASHI

 

NENKRYETAR I PD

 

“Ka një vendim që është sot në fuqi dhe parimi kushtetues është që vendimet e gjykatave prishen vetëm nga një gjykatë më e lartë. Sa nuk ka marrë vendim një gjykatë më e lartë, ai vendim sot është në fuqi.”

 

Përveç vendimit të gjykatës, Bylykbashi sjell si argument edhe rrugën që ka ndjekur KQZ me regjistrimin e bindjes demokratike në zgjedhjet e vitit 2019.

 

“Në vitin 2019 është regjistruar një parti politike, “Bindja Demokratike” me një vendim i cili nuk kishte marrë formë të prerë. Pra qoftë në aspektin e të drejtës; vendimi i gjykatës, qoftë në atë të precedentit PD s’ka asnjë pengesë. Çdo lloj veprimi tjetër nga KQZ apo nga Kolegji Zgjedhor që do marrë një vendim të ndryshëm nga ai që kanë vendosur në 2019 si precedent është një vendim që ka sfond politik që synon pengimin e PD. Ne këtë nuk do ta lejojmë, ne do shkojmë të kërkojmë regjistrimin, komisionerët si PD.”

 

E ndërsa beteja me KQZ për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje sapo ka nisur, nënkryetari i PD Bylykbashi beson se në 14 maj opozita do të fitojë përballë mazhorancës socialiste.

 

“Jam i sigurt që Belind Kelliçi, Luçiano Boçi , Igli Cara kanë shanse të jashtëzakonshme fitoreje. Nuk jemi përpara një qeverie të korruptuar, është shumë më keq se kaq. Jemi përpara një qeverie që po korrupton çdo sektor të jetës”

 

Për herë të parë, Partia Demokratike i ka shpallur kandidatët për pushtetin vendor 6 muaj para zgjedhjeve dhe aktualisht po punon për të hartuar listat e këshilltarëve bashkiakë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re