Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi në facebook, bëri me dije se pjesëmarrja e tij, ditën e sotme, në mbledhjen e Komisionit për Integrimin Evropian, kishte në fokus diskutime mbi punën e pakursyer politike, diplomatike e institucionale të Qeverisë, për të avancuar më tej në procesin e integrimit evropian.

 

Sipas Cakajt, kjo është një periudhë shumë e rëndësishme politike për Shqipërinë.

 

Pas vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, Cakaj shprehu se sfida e radhës është plotësimi i kushteve për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare.

 

Ai theksoi se përderisa Qeveria po kryen përgjegjësitë e saj në këtë drejtim, duhet nënvizuar se plotësimi i kushteve për çeljen e negociatave kërkon, po ashtu, përkushtim maksimal nga të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces.

 

“Shqipëria nuk ka zgjidhje tjetër veç punës në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian!”- reagoi Gent Cakaj.