Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina ka dalë këtë të diel (19 nëntor) në një deklaratë për media, ku është shprehur se masa e sigurisë “detyrim paraqitje” e caktuar nga Prokuroria e Posaçme ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj për çështjen e koncesionit të sterilizimit është një tregues i qartë se qeveria është e mbytur në korrupsion.

Karabina tha se, PD si denoncuese e parë e kësaj aferë, mbështet SPAK në hetimin e plotë që t’i shkojë deri në fund zbardhjes së aferës së sterilizimit.

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur në mbështetjen e saj për çdo hetim dhe për çuarjen përpara drejtësisë të çdo zyrtari të korruptuar në këtë vend.

Shqiptarëve u ka munguar drejtësia, ndaj ata presin të vërtetohen akuzat penale në mënyrë që të ndërpritet balta dhe tymnaja politike.

Vetëm kështu mund të merret vesh e vërteta dhe koha e pandëshkueshmërisë të marrë fund.

Dhënia e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për koncensionin e sterilizimit, është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ne si Parti Demokratike jo vetëm që e kemi denoncuar të parët këtë aferë, por shprehim mbështetjen tonë maksimale për organin e akuzës dhe kërkojmë që çështja të hetohet me profesionalizëm dhe me korrektësi.

Ne si Parti Demokratike kërkojmë nga SPAK që njëkohësisht të vijohet me inceneratorët dhe aferat e tjera të kësaj mazhorance, të cilat ne vazhdimisht i kemi bërë publike.

Dhënia e masës ndaj Ilir Beqajt, mikut të ngushtë të Edi Ramës, është treguesi më i qartë se kjo qeveri është e mbytur në zullume dhe në korrupsion.

40 hajdutët e mazhorancës kanë Edi Ramën në krye, ndaj çdo hetim dhe fillim çështjeje penale, në të vërtetë është ngushtim laku për shefin e tyre.

Partia Demokratike si e vetmja forcë euro-atlantike inkurajon hetimet, shpreh mbështetjen e saj dhe siguron shqiptarët se do të vijojë të denoncojë aferat korruptive të kësaj qeverie.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar më 18 nëntor masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është në hetim për dosjen “Sterilizimi”.

Gjithashtu ish-zyrtarit të lartë, SPAK i ka bllokuar pasaportën duke caktuar masën “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, si edhe është urdhëruar të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.

Ilir Beqaj akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit të sterilizimit në periudhën kur ishte ministër i Shëndetësisë.

“U vendos caktimi ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal”, njoftoi SPAK.

Kontrata origjinale që i ka hapur rrugë këtij koncesioni është firmosur në 10 dhjetor 2015 mes Ministrisë së Shëndetësisë të përfaqësuar nga ministri i kohës, Ilir Beqaj dhe administratori i kompanisë “SaniService”, Admir Daca.

Ndërkohë në pranga për “Sterilizimin” kanë rënë biznesmeni, Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncesionin dhe ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re