
Joao Cancelo është rikthyer te Barcelona për herë të dytë në karrierë. Klubi katalanas ka zyrtarizuar huazimin e mbrojtësit portugez nga Al Hilal deri në fund të sezonit aktual.
“Idhujt e mi, Dani Alves, Ronaldinho… kanë luajtur këtu”, ishin fjalët e para të portugezit.
“Ata që më njohin mirë, miqtë dhe familja, e dinë se pothuajse të gjithë idhujt e mi kanë luajtur te Barça dhe prej aty vjen pëlqimi im për këtë klub. Në akademinë e Benfikës kam luajtur tri herë kundër Barçës dhe për këtë arsye identifikohem me këtë kulturë klubi, ku të rinjtë përpiqen të luajnë si të rriturit. Sot u ktheva dhe u ndjeva si në shtëpi në dhomat e zhveshjes. Kam një dashuri të veçantë për këtë klub”, shtoi Cancelo.
Cancelo zbuloi gjithashtu edhe një bisedë familjare që e ndihmoi të merrte këtë vendim.
“Edhe bashkëshortes sime i pëlqen shumë Barcelona dhe ajo e di mirë që ky është klubi që më pëlqen mua, ndaj i thashë se nëse do të kishte mundësi, do të ktheheshim”.
Portugezi kishte luajtur më parë me Barcelonën në sezonin 2023–2024, gjithashtu si i huazuar nga Manchester City.
Cancelo mund të aktivizohet në të dy krahët e mbrojtjes.
Ai pritet të jetë një alternativë shtesë për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick në garat vendase dhe europiane.



