Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Nurettin Canikli, bëri të ditur të hënën synimin për të ngritur në fluturim avionin luftarak kombëtar të Turqisë, “TF-X”, në vitin 2023.
Në kryeqytetin Londër të Britanisë së Madhe për të shoqëruar Kryeministrin Binali Yildirim gjatë kontakteve zyrtare, ministri Canikli iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Canikli deklaroi se avioni luftarak kombëtar, “TF-X”, është një projekt shumë i rëndësishëm për Turqinë.
“Do të realizojmë të gjitha fazat në kohën më të shkurtër të mundshme. S’do të ketë asnjë vonesë. Nuk po jap datë, por synimi ynë kryesor është që të ngremë në fluturim avionin në vitin 2023”, tha ai.
Në thelb – vijoi Nurettin Canikli – projekti është shfaqur si një nevojë e Turqisë dhe për sa i takon transferimit të teknologjisë ne po marrim mbështetje nga shumë vende, një prej të cilave është edhe Anglia, tashmë e përfshirë në projekt në këtë kontekst.
I pyetur në lidhje me sistemin raketor rus, “S-400”, ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë vuri në pah se ai do t’i dorëzohet vendit të tij në vitin 2019.
“S’ka asnjë problem. Ajo punë ka përfunduar. Siç është shprehur edhe Presidenti ynë (Recep Tayyip Erdogan), ne do kemi të gjithë kontrollin në lidhje me përdorimin e sistemit. Do të ndryshohet edhe sistemi i identifikimit të mikut dhe armikut. Prandaj nuk përbën ndonjë kërcënim për elementët e NATO-s. Nuk është i integruar me NATO-n, por nuk përbën kërcënim”, sqaroi ndër të tjera ministri Canikli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re