Skip to content

Capitol-i i sulmuar, “gjuetia” e frymëzuesve vazhdon

Një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së që hetonte trazirat e 6 janarit në Capitol tha se i kishte dërguar thirrje gjyqësore Alex Jones, themeluesit të portalit të krahut të djathtë Infowars, dhe Roger Stone, një ndihmës i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Komiteti i dërgoi gjithashtu thirrje gjyqësore Dustin Stockton, një aktivist politik i lidhur me këshilltarin e gjatë të Trump, Steve Bannon dhe të fejuarën e Stockton, Jennifer Lawrence, raporton Reuters.

Stockton dhe Lawrence ishin anëtarë të grupit “Ne Build the Wall”, i cili u bastis nga agjentë federalë në gusht 2020 si pjesë e një hetimi për një mashtrim.

Një thirrje gjyqësore iu dërgua gjithashtu Taylor Budowich, një zëdhënës i Trump.

Komisioni deri më tani ka lëshuar më shumë se 30 ftesa gjyqësore dhe ka marrë dëshmi nga më shumë se 200 dëshmitarë.

Gati 700 persona u paditën

Stone tha në një deklaratë se ai nuk e kishte parë ende thirrjen, duke shtuar se ai “nuk ishte në dijeni paraprakisht për ngjarjet që ndodhën atë ditë në Capitol”.

Bannon, i cili injoroi një thirrje nga komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve, u akuzua në fillim të këtij muaji me dy akuza për shpërfillje të Kongresit.

Një grup i madh mbështetësish të Trumpit hynë në selinë e Kongresit më 6 janar të këtij viti, në përpjekje për të parandaluar konfirmimin zyrtar për humbjen e tij në zgjedhje dhe fitoren e Joe Biden.

Komiteti po shqyrton veprimet e Trump në lidhje me këto ngjarje.

Rreth 700 persona janë akuzuar se kanë marrë pjesë në trazirat.