Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavushoglu, ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abdullah bin Zayed Al Nahyan, për bastisjen në Xhaminë Al-Aksa.

Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Turqisë, Çavushoglu ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij të Emirateve në lidhje me bastisjen në Xhaminë Al-Aksa dhe zhvillimet e fundit në Afganistan.

Gjatë bisedës, ministrat përsëritën dënimin e tyre për bastisjen e djeshme të një ministri izraelit në Xhaminë Al-Aksa.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së statusit dhe shenjtërisë së objekteve fetare në Kuds dhe rritjen e koordinimit kundër akteve të tilla të papranueshme, ministrat theksuan nevojën që Xhamia al-Aksa të mbrohet plotësisht dhe të ndalohen shkeljet e rënda dhe provokuese që ndodhën atje.

Gjatë bisedës, ministrat diskutuan për çështjet në agjendën e dy vendeve, ndërsa u bënë thirrje autoriteteve izraelite që të marrin përgjegjësitë e tyre mbi përshkallëzimin dhe destabilizimin në rajon.

Çavushoglu dhe Bin Zayed gjithashtu diskutuan mbi shqetësimet e përbashkëta në lidhje me ndalesën aktuale të vendosur nga talebanët për qasjen e grave në arsim dhe përjashtimin e tyre nga shoqëria civile kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe organizatat humanitare.

Duke përsëritur pritshmërinë e Turqisë se vendimi në fjalë do të anulohet, Çavushoglu theksoi rëndësinë e përpjekjeve të koordinuara me homologun e tij, veçanërisht me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Bin Zayed deklaroi se vendimi në fjalë dhe ndalimet e mëparshme për qasjen e vajzave në arsimin e mesëm shkelin të drejtat themelore të njeriut.

Duke thënë se Islami i kushton rëndësi të madhe grave, u jep atyre një pozitë të privilegjuar dhe mbron të drejtat e tyre, Bin Zayed thekoi nevojën për të siguruar të drejtat e grave dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë dhe të barabartë të grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re