Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu tha të martën se ishte i shqetësuar për situatën në rajon dhe se do të vazhdojë të punojë së bashku për të ulur tensionet për ta bërë Ballkanin Perëndimor një rajon me stabilitet dhe zhvillim ekonomik, transmeton AA.

Çavushoglu u takua sot në Ankara me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe pas takimit mbajti në një konferencë për shtyp.

Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, Çauvushoglu tha se ai është në nivel të kënaqshëm, por gjithashtu vuri në dukje se ka hapësirë ​​për zhvillim të mëtejshëm.

“Vitin e kaluar vëllimi ynë tregtar u rrit me rreth 42 për qind dhe arriti në 772 milionë dollarë. Duke parë shifrat këtë vit do të jetë rreth 900 milionë dollarë. Prandaj jemi dakord që vitin e ardhshëm ta rrisim në një miliardë dollarë. Ne besojmë se mund të rritemi në dy miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme dhe se mund ta arrijmë këtë shifër. Kjo është arsyeja pse ne po rishikojmë marrëveshjen e tregtisë së lirë”, tha Çavusoglu.

Ai theksoi se do të inkurajojë kompanitë turke që së bashku të investojnë më shumë në Maqedoninë e Veriut dhe tha se me Osmanin janë marrë vesh që këtë vit të organizohet një forum biznesi në Stamboll.

Gjatë bisedimeve u bisedua edhe për bashkëpunim në fushën e energjisë dhe industrisë së mbrojtjes.

Çavushoglu më tej ka thënë se pritshmëritë e Turqisë ia ka përcjellë kolegut të tij Osmani, sa i përket luftës kundër organizatave terroriste.

Ai iu referua situatës në Ballkan, duke thënë se është i shqetësuar për zhvillimet në rajon.

“Ka brishtësi. Maqedonia e Veriut ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur,” tha Çavusoglu.

Pas takimit me zyrtarët e Maqedonisë së Veriut, Çavusoglu tha se do të vizitojë Kroacinë, Bosnje dhe Kosovën dhe se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan së shpejti do të jetë në rajon.

“Së bashku do të vazhdojmë të punojmë për të ulur këtë tension dhe për ta bërë Ballkanin, Ballkanin Perëndimor, një rajon të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik”, tha Çavushoglu.

Duke folur edhe për tensionin mes vendit të tij dhe Greqisë, ai ka folur edhe për çështjen e ishujve në detin Egje, duke kujtuar sesi këto ishuj iu dhanë Greqisë në kushte të caktuara.

“Marrëveshjet ekzistojnë, por Greqia po i shkel ato dhe po armatos ishujt. Nëse Greqia nuk heq dorë nga kjo shkelje, do të diskutohet sovraniteti i këtyre ishujve. Sot dua ta them përsëri këtë: nëse Greqia nuk heq dorë nga këto shkelje, Do të diskutohet sovraniteti i këtyre ishujve. Pra, shumë qartë. Ata duhet t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve,” përfundoi kreu i diplomacisë turke.