Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavushoglu, duke folur lidhur me djegien e Kuranit në Suedi tha se Qeveria e Suedisë është bërë partnere në këtë krim duke lejuar këtë akt të ulët.

Çavushoglu, pas takimit të tij me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, në Ankara, zhvilloi konferencë të përbashkët për media.

Lidhur me pyetjen për djegien e Kuranit në Suedi, Çavushoglu tha se ky është një krim urrejtjeje, një akt racist. “Askush mos të përpiqet të na tregojë se kjo është liri e mendimit. Nuk ka aspak lidhje”, u shpreh ai.

“Tani a mund të bëhet i njëjti akt ndaj besimeve të ndryshme?”, pyeti kryediplomati turk duke shtuar se ata edhe antisemitizmin, antikrishterimin dhe islamofobinë e vlerësojnë si krim ndaj njerëzimit. “Por, kur të vini në Perëndim vetëm islamofobi është liri e mendimit”, shtoi Çavushoglu.

Ai theksoi se sulmi në fjalë është edhe në kundërshtim me normat e Bashkimit Evropian (BE). “Qeveria e Suedisë është bërë partnere në këtë krim duke lejuar këtë akt të ulët. Është kaq e thjeshtë”, theksoi ai.

​​​​​​​Çavushoglu foli edhe për bastisjen e ushtarëve izraelitë në kampin e refugjatëve në Jenin të Bregut të pushtuar Perëndimor. “Pala izraelite thotë se ky është operacion kundër terrorizmit. Por, në mesin e të vrarëve ka edhe plaka. Prandaj, qeveria ka vazhduar me provokime të ndryshme që nga ardhja në detyrë e qeverisë së re. Ne duam që qeveria e Izraelit të ndalojë sulmet dhe provokimet e tilla. Shpreh ngushëllimet e mia për vëllezërit dhe motrat tona të ndjera”, tha kryediplomati turk.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re