Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se për kryerjen e eksportimit të drithërave të Ukrainës përmes Detit të ZI nuk është e nevojshme pastrimi i minave dhe se mund të hapen linja të sigurta.

Çavuşoğlu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përpara mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

I pyetur nëse është apo jo e rëndësishme për Turqinë sinjali i ardhur nga Suedia për çështjen e luftës kundër terrorizmit, Çavuşoğlu u shpreh se Turqia i ka përcjellë pritjet dhe shqetësimet e saj në mënyrë të shkruar dhe se presin përgjigje konkrete.

“Edhe sekretari i NATO-s me të cilin jemi në kontakt po tregon përpjekje”, theksoi Çavuşoğlu, duke shtuar se, “Jo vetëm një ligj, ne u kemi dhënë të shkruar në mënyrë të qartë ato që presim dhe në cilat çështje. Tani nga ata presim përgjigje në mënyrë të shkruar”.

Çavuşoğlu tha se edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimet e Türkiye-s që është aleate e NATO-s.

“Stoltenberg gjithmonë ka deklaruar në mënyrë të sinqertë mendimet e tij për S-400 dhe çështjet e tjera. Edhe në vizitat e tij në Suedi dhe Finlandë tregon përpjekje dhe shprehet se duhet të eliminohen shqetësimet e Türkiye-s. Është në kontakt të vazhdueshëm me ne dhe me ata, për këtë arsye i përgëzojmë këto përpjekje të Stoltenberg”, tha Çavuşoğlu.

I pyetur lidhur me zhvillimet për formimin e një korridori për drithërat për heqjen e pengesave për eksportin e grurit të Ukrainës, Çavuşoğlu theksoi se plani i Kombeve të Bashkuara (OKB) është një plan i zbatueshëm dhe se presin përgjigje nga Rusia. Më tej, ai tha se Turqia mbështet planin e OKB-së dhe se “nëse palët bien dakord u kemi shprehur se mund të mblidhemi në Stamboll për të biseduar detajet”.

Lidhur me çështjen e minave të Ukrainës në Detin e Zi, ministri Çavuşoğlu, u shpreh se, “Sipas planit të fundit të OKB-së pastrimi i këtyre minave do të marrë një kohë të caktuar. Pasi është e qartë se ku ndodhen minat, do të vendosen linja të sigurta në tre porte, kështu anijet pa pasur nevojë për pastrimin e minave do të shkojnë në mënyrë të sigurt në porte të udhëzuara edhe nga anijet e kërkim-shpëtimit të Ukrainës, si dhe do të vijnë nga portet në mënyrë të sigurt. Pasi të mbërrijnë në zonën e sigurt, do të kryhet sërish kontrolli i anijeve atje. Aktualisht sipas planit nuk është i nevojshëm pastrimi i minave. Do të mund të hapen linja të sigurta nga vendet ku nuk ka mina”
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re