Turqia ka thënë se paralajmërimi i Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione të reja ndaj Ankarasë lidhur me mosmarrëveshjet mbi burimet e energjisë në Mesdheun lindor është “kontradiktor”.

Qëndrimet e BE “shërbejnë për të kënaqur palën greke,” tha ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu në një konferencë të përbashkët shtypi në Romë me homologun italian Luigi Di Maio.

Udhëheqësit e BE vendosën të premten të mos ndërmarrin sanksione ndaj Turqisë, por paralajmëruan Ankaranë se ato mund të aktivizohen nëse shkel ligjin ndërkombëtar duke eksploruar fushat e gazit në Mesdhe, e cila ka shkaktuar tensione me Greqinë fqinje.

“Kërcënimi i fshehur” i BE nuk jep lëshime, tha Çavusoglu, duke shprehur zhgënjim që BE nuk kishte ofruar hapa “konkretë” për të riaktivizuar marrëveshjet e migrimit të të dy palëve, marrëveshjet e bashkimit doganor ose liberalizimin e vizave.

Ankaraja është akoma e gatshme të bashkëpunojë me BE “në kushte të përshtatshme”, tha ai dhe i bëri thirrje Unionit që të jetë “i ndershëm”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha pas një takimi të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare se BE mund të vendosë sanksione ndaj Ankarasë nëse “provokimet dhe presionet” turke vazhdojnë në Mesdheun lindor.

“Ne duam një marrëdhënie pozitive dhe konstruktive me Turqinë dhe kjo do të ishte gjithashtu shumë në interes të Ankarasë,” tha ajo një konference shtypi.

Greqia, e cila ka bërë thirrje për sanksione, është “plotësisht e kënaqur” me përfundimin e samitit, tha lryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re