Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavushoglu tha se vendi i tij “punon shumë” për të forcuar lidhjet me të gjitha vendet afrikane, duke theksuar në veçanti Afrikën e Jugut, ndalesën e tij të parë në turneun afrikan.

“Sot, ne mbajmë lidhje të forta me pasardhësit e Abu Bakr Effendiut, të cilët hodhën themelet e miqësisë sonë me Afrikën e Jugut,” tha Çavuşoğlu në përurimin e ndërtesës së re të kancelarisë në Konsullatën Turke në Cape Town, Afrikë e Jugut.

Abu Bakr Effendi ishte një dijetar i shquar turk i dërguar në Afrikën e Jugut në shekullin e 19-të nga Sulltan AbdulAzizi për të përhapur mesazhin e Islamit. Trashëgimia e tij dhe osmanëve të tjerë që erdhën të banonin në Cape Town mund të ndihet ende pas më shumë se 150 vjetësh përmes shkrimeve të tyre.

Disa pasardhës osmanë tani janë të njohur në Afrikën e Jugut, mes tyre gjyqtarë, mjekë, madje edhe politikanë.

Duke thënë se Turqia u afrohet qytetarëve të saj anembanë globit nëpërmjet 257 misioneve të saj, Çavuşoğlu tha se numri i misioneve të huaja turke e vendos atë në pesë vendet e para në mbarë botën.

“Përfaqësitë tona na mundësojnë në të njëjtën kohë të zgjerojmë marrëdhëniet tona ekonomike dhe kulturore”, shtoi ai.

Me fluturimet çarter Istanbul-Cape Town të Türk Hava Yolları, lidhjet midis popujve të dy kombeve u rritën, tha Çavushoglu duke kërkuar ndërveprim të mëtejshëm për të promovuar “bukuritë, potencialin dhe mundësitë” e të dy vendeve.

Sa i përket tregtisë dypalëshe, Çavushoglu tha se ajo zhvillohet çdo ditë, duke vënë në dukje rritjen prej 50 për qind të vitit të kaluar, në 3 miliardë dollarë.

Ai tha se shpreson për të rritur vëllimin e tregtisë dypalëshe në 10 miliardë dollarë.

Pas Afrikës së Jugut, Çavushoglu do të vazhdojë vizitat në Zimbabve, Ruanda, Gabon, si dhe në Sao Tome dhe Principe.

Çavushoglu njoftoi gjithashtu planet e Fondacionit Turk Maarif për të hapur një shkollë tjetër në Cape Town në vitin 2024.

Fondacioni turk Maarif, i krijuar në vitin 2016, po merr një rol të rëndësishëm në luftën kundër Organizatës Terroriste FETO në sektorin e arsimit. Grupi terrorist ka një rrjet shkollash private jashtë vendit, që i përdor si një burim të ardhurash për të mbështetur aktivitetet e tij të paligjshme.

FETO dhe lideri i saj me seli në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur të vitit 2016 në Turqi, ku mbetën të vdekur 251 person dhe u plagosën 2.734 të tjerë.

Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re