Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavushoglu tha se vendi i tij tashmë ka kapacitetin për të qenë një qendër energjetike për gazin natyror që shkon në Evropë, siç u propozua nga presidenti rus Vladimir Putin në fillim të kësaj jave.

“Turqia është e gatshme të bëhet ‘një qendër energjetike për përcaktimin e çmimeve të gazit’”, tha Çavushoglu në një konferencë të përbashkët për media në Istanbul me homologun e tij nga Katari, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani.

Ai shtoi se një projekt për ta bërë Turqinë një qendër energjetike do të kërkonte investime shtesë që duhet të përpunohen.

Në margjinat e takimit në Kazakistan këtë javë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti rus, Vladimir Putin folën rreth mënyrës se si vendet mund të punojnë së bashku në ndërtimin e një qendre të gazit natyror në rajonin turk të Trakisë.

Çavushoglu u shpreh se Putin “thotë se dërgesat e gazit nga Rusia në vendet evropiane që duan të blejnë gaz mund të bëhen përmes Türkiye-s. Ai dëshiron që Turqia të jetë një qendër përgjatë këtyre linjave”.

Duke përmendur rrjedhjet e gazit në muajin e kaluar në tubacionet ruse të gazit “Rrjedha Veriore”, gjë që dyshohet të jetë sabotim, Çavushoglu tha se Putin nuk e sheh më këtë tubacionin si një “rrugë të sigurt”.

Duke theksuar se Turqia dëshiron që të trajtohet kriza energjetike në Evropë, Çavuşoğlu tha se dobësimi i Evropës është kundër interesave të Turqisë.

Në lidhje me luftën në Ukrainë pas sulmit të javës së kaluar në urën ruse të Kerçit dhe sulmeve ajrore ruse që pasuan në Ukrainë, Çavuşoğlu tha se nuk duket i realizueshëm një takim midis liderëve të vendeve në të ardhmen e afërt.

I pyetur për bisedimet më të fundit të normalizimit midis Turqisë dhe Armenisë, Çavushoglu tha se të dy vendet ranë dakord të organizonin bisedimet e ardhshme në këto dy vende dhe jo në vende të treta, siç janë bërë më parë.

– Lidhjet më të forta midis Turqisë dhe Katarit

Nga ana e tij, kryediplomati i Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani tha se bisedimet e sotme dypalëshe kishin “rezultate konstruktive”, ku të dyja palët ranë dakord për të rritur lidhjet dypalëshe, veçanërisht në fushat e ekonomisë, investimeve dhe tregtisë.

Al-Thani theksoi gjithashtu se Katari dhe Turqia ranë dakord të konsolidojnë marrëdhëniet kulturore dhe humanitare midis popujve të dy vendeve.

Gjatë bisedimeve u trajtuan gjithashtu shumë tema ndërkombëtare, tha ai, duke theksuar se sa shumë përputhen pikëpamjet e dy vendeve.

Lufta Rusi-Ukrainë u diskutua gjithashtu, tha Al-Thani, duke vlerësuar rolin diplomatik të Türkiye-s, sidomos në “arritjen e stabilitetit, veçanërisht në sektorin e ushqimit” dhe drithërave me marrëveshjen e nënshkruar në Istanbul këtë korrik për të zhbllokuar dërgesat e grurit ukrainas dhe për të lehtësuar krizën botërore të ushqimit.

Ai falënderoi gjithashtu Turqinë për rolin e saj në promovimin e stabilitetit në Afganistan dhe ofrimin e ndihmës humanitare për të lehtësuar vuajtjet e popullit afgan, si dhe i kërkoi administratës talebane të vendit të respektojë të drejtat e të gjitha grupeve.

Duke folur në lidhje me lajmin e djeshëm se fraksionet rivale palestineze në takimin e zhvilluar në Algjeri kishin nënshkruar një marrëveshje pajtimi, Al-Thani tha: “Katari e mirëpret këtë njoftim dhe rezultatet e tij, dhe ne shpresojmë se këto rezultate dhe hapa pozitivë do të ndihmojnë në përfundimin e gjendjes së ndarjes që ndikoi shumë në kauzën palestineze”.

Ai më tej dënoi “përshkallëzimin izraelit që ndodh çdo ditë dhe shkeljet në Bregun Perëndimor dhe bastisjet e Xhamisë Al Aksa”.

Al-Thani falënderoi gjithashtu Turqinë për mbështetjen që ia ka ofruar Katarit në përgatitjet për të mbajtur Kupën e Botës së FIFA-s.

Trupat turke po dërgohen në Katar për të garantuar sigurinë gjatë turneut të futbollit që është paraparë të mbahet këtë nëntor dhe dhjetor.

“Ka bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet të gjitha palëve në shtetin e Katarit dhe Republikën vëllazërore të Turqisë për suksesin e këtij turneu dhe ne mezi presim të jemi nikoqir të botës pas dy muajsh”, shtoi ai.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re