Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij polak, Zbigniew Rau, ku u diskutu kriza e emigrantëve në kufirin Poloni-Bjellorusi.

Sipas burimeve diplomatike turke, Çavuşoğlu i tha homologut Rau se Turqia po përpiqet të tregohet si pjesë e problemit pavarësisht se nuk është palë në këtë problem.

Çavuşoğlu shprehu keqardhjen e tij për “akuzat e pabaza kundër Turqisë dhe Turkish Airlines” dhe shtoi se Ankaraja i kundërshton ato akuza.

Të martën, kompania ajrore turke hodhi poshtë pretendimet se Turkish Airlines po transportonte emigrantë në Bjellorusi, në kohën kur në këtë vend po vazhdon kriza me emigrantët.

Duke mohuar pretendimet “e pabaza”, nga Turkish Airlines thonë se fluturimet e tyre në Bjellorusi nuk po ndihmojnë në asnjë mënyrë në trafikun e paligjshëm të imigracionit.

Ministri i Jashtëm turk gjithashtu i kujtoi homologut të tij se opinioni duhet të informohet saktë për këto akuza dhe ftoi ekipet teknike nga Polonia të vijnë në Turqi.

Polonia dhe BE-ja kanë akuzuar presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, se po përpiqet të hakmerret kundër sanksioneve të BE-së, duke ftuar dhe detyruar qëllimisht emigrantët drejt kufirit polak.

Vendet e BE-së në kufi me Bjellorusinë: Lituania, Letonia dhe Polonia, kanë raportuar një rritje dramatike të numrit të kalimeve të parregullta që nga gushti.

NATO dhe BE e konsiderojnë qasjen e Bjellorusisë ndaj emigrantëve një përpjekje për të destabilizuar dhe minuar sigurinë në BE përmes mjeteve joushtarake.

Sipas shifrave të fundit të BE-së, 7.935 njerëz u përpoqën të hynin në BE përmes kufirit Bjellorusi-BE deri më tani këtë vit, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër ishte 150.

Të hënën, autoritetet polake rritën masat për mbrojtjen e kufirit dhe mobilizuan më shumë se 12.000 trupa pasi një grup i madh emigrantësh nisën të marshonin drejt kufirit të vendit me Bjellorusinë, të shoqëruar nga ushtria bjelloruse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re