Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu njoftoi se më 10 mars do të takohet me homologët rusë dhe ukrainas në një format trepalësh në Forumin e Diplomacisë në Antalya.

Duke tërhequr vëmendjen mbi angazhimin intensiv diplomatik të presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe nga ai vet, Çavuşoğlu për gazetarët e AA-së dhe TRT-së tha se Turqia do të vazhdojë me përpjekjet për paqe të përhershme dhe ndalimin e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ai theksoi se para fillimit të luftimeve në fjalë ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov dhe ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba dhe se dy homologëve u ka propozuar të takohen në kuadër të Forumit të Diplomacisë Antalya që do të zhvillohet më 11-13 mars. Kryediplomati turk nënvizoi se Turqia vazhdon pa ndërprerë kontaktet.

“Pas luftës i ka rritur edhe më tej këto kontakte dhe kemi zhvilluar një diplomaci intensive për të bashkuar dy palët. Këtë temë e solli në rend dite presidenti ynë (Recep Tayyip Erdoğan) në bisedën që zhvilloi dje me (presidentin rus) Putin. Më pas Lavrov tha se është i gatshëm të marrë pjesë në këtë takim në Antalya. Në të njëjtën mënyrë edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba na njoftoi ne se do të marrë pjesë në këtë takim”, tha Çavuşoğlu.

“Që të dy ministrat kërkuan që në këtë takim të jem i pranishëm edhe unë dhe takimin ta zhvillojmë në formën trepalëshe. Për këtë arsye shpresojmë që këtë takim ta zhvillojmë në formën trepalëshe, të enjten më 10 mars në Antalya. Urojmë që ky takim të jetë kryesisht një pikë kthese. Dëshirojmë që ky takim të jetë një hap i rëndësishëm në drejtim të paqes dhe stabilitetit”, tha Çavuşoğlu.

Ai vuri theksin se me ndalimin sa më parë të luftimeve do të vazhdojnë të tregojnë përpjekjet me qëllimin e mirë për paqe të përhershme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re