Türkiye vazhdon të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj dhe të turqve qipriotë në kuadër të “politikës së saj të jashtme sipërmarrëse dhe humanitare”, tha sot ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu gjendet për një vizitë në Lefkosha, kryeqyteti i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC).
Duke theksuar lidhjet e forta midis dy vendeve, ministri i Jashtëm turk i tha homologut të tij turk qipriot Tahsin Ertuğruloğlu se është “e pamundur” që Ankaraja “të neglizhojë TRNC-në dhe popullin e saj”.
Duke iu referuar procesit të negociatave për Qipron, Çavuşoğlu tha se Ankaraja përsërit qëndrimin e saj në çdo platformë, duke përfshirë OKB-në, dhe me palët e tjera relevante.
“Nevojitet një zgjidhje me dy shtete në Qipro. Negociatat duhet të fillojnë midis dy shteteve të barabarta sovrane”, shtoi ai.
Türkiye dhe TRNC do të vlerësojnë gjithashtu hapat që mund të ndërmarrin në nivelin diplomatik dhe politik, tha kryediplomati turk.
“Ne po bëjmë gjithashtu përpjekje intensive për të rritur dukshmërinë dhe statusin e TRNC-së në platformën ndërkombëtare”, shtoi ai.
“Kemi intensifikuar kontaktet tona për të hapur zyra të reja përfaqësuese në vendet që TRNC i sheh të përshtatshme”, kujtoi ministri i Jashtëm turk.
Nga ana e tij, Ertuğruloğlu tha se vazhdojnë të mbrojnë çështjen “kombëtare” të Qipros.
“Procesi i negociatave, i cili ka vazhduar për gati 60 vjet dhe quhen ‘negociatat ndërkomunale’, dështoi në Crans Montana në vitin 2017”, tha ai.
“Në vitin 2017 u hap një faqe e pastër. Ka dy shtete të veçanta sovrane të barabarta dhe dy shtete me të drejta të barabarta ndërkombëtare në këtë ishull”, shtoi Ertuğruloğlu.
Nisma në Crans-Montana të Zvicrës në korrik 2017 nën kujdesin e vendeve garantuese Türkiye-s, Greqisë dhe Britanisë përfundoi pa sukses.
Qiproja u nda në një shtet qipriot turk në veri dhe një administratë greke qipriote në jug pasi një grusht shteti ushtarak i vitit 1974 nga Greqia u pasua nga dhuna kundër turqve të ishullit dhe ndërhyrja e Turqisë si një fuqi garantuese.
Statusi i ishullit mbetet i pazgjidhur, pavarësisht nga një sërë negociatash ndër vite.
Burimi: AA