Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, pas takimit në Ankara me homologun e tij finlandez, Pekka Haavisto, ka deklaruar se ai e konsideron përgjegjëse Greqinë dhe Bashkimin Evropian (BE) për 19 emigrantët e parregullt të cilët javën e kaluar u gjetën të ngrirë për vdekje pranë kufirit të përbashkët të dy vendeve.

“Po aq sa Greqia, fajin e ka edhe BE-ja, sepse ne e dimë se si do të kritikohej Turqia nëse do të bënte një të dhjetën e kësaj. Por në të kundërtën, Greqia merr mbështetje në këtë drejtim dhe ata kanë një justifikim… ‘Greqia mbron kufijtë e BE-së’, ndonëse (në fakt) kufijtë e Evropës fillojnë nga Turqia në lindje dhe jug”, tha Çavuşoğlu në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij finlandez.

Çavuşoğlu tha se vdekjet e emigrantëve janë “pjesë e një modeli të Greqisë”.

“Fatkeqësisht Greqia ka vazhduar politikën e saj të kthimit mbrapa duke shkelur hapur të drejtat e njeriut sipas ligjit ndërkombëtar”, tha Çavuşoğlu, duke iu referuar mijëra azilkërkuesve të kthyer mbrapa nga Greqia duke u rrezikuar jetën e tyre gjatë procesit.

“Në mes të detit Egje, shumë emigrantë humbën jetën për shkak të këtyre kthimeve mbrapa, edhe për shkak se Greqia i shpoi këto varka me armë”, shtoi ai.

Kryediplomati turk tha se këto kritika nuk kanë të bëjnë me marrëdhëniet turko-greke, si dhe shtoi se akte të tilla janë bërë politikë shtetërore greke, të ndihmuar nga agjencia kufitare evropiane Frontex.

Javën e kaluar, 19 emigrantë të parregullt u gjetën të ngrirë për vdekje pranë kufirit, të cilëve përpara se të ktheheshin mbrapa në Turqi nga zyrtarët grekë të kufirit, iu morën të gjitha gjërat e tyre, përfshirë rrobat dhe këpucët.

Greqia duke e quajtur incidentin një “tragjedi” ka mohuar me vendosmëri çdo përfshirje.

Turqia dhe grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë kritikuar trajtimin çnjerëzor të Greqisë ndaj emigrantëve dhe e kanë akuzuar për shpërfillje të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re