Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se “Kriza në Ukrainë duhet të zgjidhet me rrugë diplomatike”.
Në një fjalim në takimin e 28-të të Këshillit të Ministrave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që zhvillohet në Suedi, Çavuşoğlu tha se situata e sigurisë globale ka ndryshuar në masë të madhe që nga nënshkrimi i Aktit Final të Helsinkit në vitin 1975.
“Bashkë me globalizimin edhe pasiguria është bërë globale. Terrorizmi, krimi i organizuar, urrejtja ndaj të huajve dhe migracioni i parregullt rriten në çdo vend”, theksoi Çavuşoğlu.
“Akti Final i Helsinkit i cili po i afrohet 50-vjetorit, pavarësisht të gjitha këtyre e ka ruajtur përditësimin e tij, por OSBE-ja është larg nga fryma e bashkëpunimit të vitit 1975”, potencoi Çavuşoğlu i cili shtoi se “Duhet të gjallërojmë këtë frymë bashkëpunimi duke eliminuar mungesën e besimit mes nesh”.
Ai vuri në dukje se problemet e sigurisë në gjeografinë e OSBE-së duhet të diskutohen në mënyrë efektive. “Për paqen e përhershme në Kaukazin e Jugut ekziston një dritare mundësie. Edhe bashkëkryetarët e Grupit të Minskut bashkë me anëtarët e përhershëm mund të ofrojnë kontribut të bazuar në realitete të reja. Kriza në Ukrainë duhet të zgjidhet me rrugë diplomatike. Respektimi i marrëveshjeve të Minskut dhe ligjit ndërkombëtar është i rëndësishëm. Kemi shqetësime edhe për të drejtat e njeriut lidhur me tatarët e Krimesë”, tha Çavuşoğlu.
“Duhet të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për zgjidhje paqësore dhe të vazhdueshme në Gjeorgji dhe Moldavi. Punimet tona të ndërmjetësimit duhet t’i përshtatim me një qëndrim të bazuar në rezultatin e mjedisit të sigurisë së ndryshueshme. Për këtë duhet të përfitojmë nga Grupi i Miqve të Ndërmjetësimit të cilin e bashkëkryesojmë me Finlandën dhe Zvicrën”, tha ai.
“Duhet të gjallërojmë frymën e bashkëpunimit të vitit 1975”
Ministri Çavuşoğlu nënvizoi se janë dy çështje që kërcënojnë vlerat e përbashkëta.
“E para; në vende të ndryshme të OSBE-së vazhdon rritja e armiqësisë ndaj të huajve, islamofobisë dhe antisemitizmit. Nuk mund t’i mbyllim sytë ndaj këtyre tendencave të rrezikshme. E dyta; duke lejuar organizatat terroriste të marrin pjesë në mbledhjet me dimensione humanitare, po injorohen rregullat që janë vendosur me konsensus në një kohë. Kjo është në kundërshtim me dokumentin e Helsinkit në vitin 1992 dhe me frymën dhe shprehjen e dokumenteve të tjera mbi të cilat është arritur dakordim”, tha Çavuşoğlu.
Kryediplomati turk falënderoi presidencën e radhës së Suedisë për ftesën e Organizatës së Shteteve Turke në takimin e ministrave të OSBE-së, si dhe vuri në dukje se pjesëmarrja e organizatës në punimet e OSBE-së do të ofrojë kontribut në përpjekjet e përbashkëta të OSBE-së.
Ndër të tjera Çavuşoğlu tha se “Besojmë që OSBE duhet të luajë një rol më të madh për çështjen e paqes dhe sigurisë në gjeografinë tonë. Për këtë arsye marrim pjesë në mënyrë aktive në misione, përfshirë edhe Misionin Special Vëzhgues të OSBE-së në Ukrainë. Për të përdorur në mënyrë të plotë potencialin tonë, duhet të gjallërojmë frymën e bashkëpunimit të vitit 1975”.