Skip to content

Çavuşoğlu në Bejrut: Gjithmonë i kushtojmë rëndësi sovranitetit, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të Libanit

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, theksoi se të gjithë duhet të mbështesin qeverinë e Libanit për të gjetur zgjidhje për krizat me të cilat përballet vendi dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në kohë.

Çavuşoğlu pas takimit dypalësh me homologun e tij Abdallah Bou Habib në Bejrut, mbajti një konferencë të përbashkët për media.

Ai tha se Libanin që nga viti 2016 e ka vizituar 4 herë, duke shtuar se vizitën e tij e ka bërë për të theksuar mbështetjen e Turqisë ndaj Libanit dhe për parapërgatitje të vizitës së kryeministrit Najib Mikati në Turqi.

Çavuşoğlu deklaroi se Turqia gjithmonë i kushton rëndësi sovranitetit, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të Libanit, duke shtuar se i kanë ofruar mbështetjen dhe solidaritetin e duhur Libanit pas shpërthimit të Portit të Bejrutit dhe atë në Akkar.

“Ne gjithashtu siguruam mbështetje për ushtrinë libaneze dhe forcat e sigurisë për stabilitetin dhe sigurinë e Libanit”, u shpreh kryediplomati turk.

Ai gjithashtu rikujtoi se Turqia ka zgjatur edhe një vit kontributin e saj në Task Forcën e Përkohshme të OKB-së për Libanin (UNIFIL), duke shtuar se në kuadër të kësaj, një fregatë turke shërben në këtë vend.

“Të gjithë duhet të mbështesin qeverinë për të gjetur zgjidhje për krizat me të cilat përballet Libani dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në kohë. Libanezët që kërkojnë zgjidhje urgjente për problemet e tyre nuk duhet të paguajnë çmimin e pazareve rajonale”, tha Çavuşoğlu.

Mes tjerash, Çavuşoğlu theksoi se dëshirojnë që marrëdhëniet me Libanin t’i zhvillojnë në të gjitha fushat, ndërsa tha se me homologun e tij kanë trajtuar se si mund t’i zhvillojnë marrëdhëniet në shumë fusha, përfshirë turizmin, energjinë dhe bujqësinë.

“Në aspektin e turizmit preferenca e parë e popullit libanez është Turqia, edhe interesimi dhe dashuria e popullit turk për Libanin është qartësisht e dukshme”, tha ai.

Siç informoi Çavuşoğlu, në takimin me homologun e tij kanë trajtuar edhe çështjet rajonale, duke nënvizuar se Turqia dhe Libani janë vendet që janë ndikuar më së shumti nga kriza në Siri.

“Sot u dakorduam të zbatojmë bashkëpunimin tonë lidhur me kthimin e sirianëve në Siri”, deklaroi Çavuşoğlu.

Kryediplomati turk sot gjithashtu u takua me presidentin e Libanit, Michael Aoun, me kryeparlamentarin Nabih Berri dhe kryeministrin Najib Mikati.