Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me deklaratat e presidentit francez, Emmanuel Macron, që akuzojnë Turqinë lidhur me çështjen e Algjerisë, ka deklaruar se është jashtëzakonisht e gabuar që Macron tërheq brenda diskutimeve Turqinë e cila në historinë e saj nuk ka asnjë njollë të zezë si kolonializmi.

Çavuşoğlu ndodhet për vizitë në qytetin Lviv të Ukrainës për të marrë pjesë në takimin e 9-të të Grupit të Përbashkët për Planifikimin Strategjik Turqi-Ukrainë. Ai u adresua në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.

Në një deklaratë lidhur me komentet e Macron-it kundrejt Turqisë në çështjen e Algjerisë, ministri Çavuşoğlu tha se, “Kohët e fundit e shohim që Franca po përpiqet të përballet me historinë e saj koloniale dhe ne e kemi shprehur edhe më parë që këtë e vërejmë pozitive”.

Kryediplomati turk theksoi se kohët e fundit kanë parë komente të gabuara dhe shtrembërime në çështjet e historisë.

“Kanë filluar të rriten pikëpyetjet se sa e sinqertë është Franca në këtë temë. Është jashtëzakonisht e gabuar që Macron tërheq brenda diskutimeve Turqinë e cila veçanërisht në historinë e saj nuk ka asnjë njollë të zezë si kolonializmi. Edhe Algjeria ka treguar reagimin e saj tashmë për këtë çështje”, u shpreh Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu njoftoi se kanë rënë dakord që presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, me presidentin Macron dhe ai vetë me homologun e tij francez të bisedojnë drejtpërdrejtë dhe jo nëpërmjet shtypit.

“Në këtë aspekt nuk i gjejmë të drejta këto lloj deklaratash. Aktualisht Franca ka hyrë në atmosferën e zgjedhjeve dhe e vërejmë që Macron po përdor këto rrugë. Në të vërtetë e kemi vërejtur dhe e vërejmë se qasje të tilla të lira nuk kanë dobi në zgjedhje, as në Francë dhe as në vende të tjera. Për këtë arsye në vend të këtyre qasjeve populiste, unë mendoj se do të ishte më e dobishme që të hidhen hapa për të fituar besimin e popullit të tij. Nëse ka ndonjë fjalë që dëshiron ta shpreh në lidhje me ne, preferojmë që këtë të na thotë në sy dhe jo pas shpine. Pikërisht ashtu si ka vepruar presidenti ynë, Recep Tayyip Erdoğan”, deklaroi Çavuşoğlu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re