Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në vlerësimin e tij lidhur me zgjatjen e dekretit të SHBA-së për Sirinë dhe deklaratat e saj ndaj Turqisë tha se “Së pari SHBA-ja të heqë dorë nga politikat e saj të gabuara, në vend që të akuzojë Turqinë”.

Çavuşoğlu zhvilloi një konferencë të përbashkët pas takimit në Ankara me ministrin e Jashtëm të Venezuelës, Felix Plasencia.

Lidhur me zgjatjen e dekretit të SHBA-së për Sirinë dhe deklaratat e saj ndaj Turqisë, Çavuşoğlu tha: “Pikë së pari kjo letër është bërë një letër ‘copy-paste‘. Administrata amerikane i ka përdorur edhe më parë këto fjali dhe këto paragrafe. Në të vërtetë administrata amerikane nuk shpreh të vërtetën teksa i dërgon letër Kongresit Amerikan ose kur informon popullin amerikan”.

“Arsyeja e kësaj është se SHBA-ja bashkëpunon me YPG-në teksa pranon PKK-në si organizatë terroriste”, theksoi Çavuşoğlu i cili nënvizoi se SHBA-ja jep një mbështetje shumë serioze ndaj kësaj organizate.

Duke vënë në dukje se kjo situatë është krim sipas ligjeve të SHBA-së, Çavuşoğlu tha: “Edhe qëllimin e pranisë së tyre këtu ne e dimë shumë mirë se nuk është lufta me DEASH-in. Ne kemi luftuar kundër DEASH-it. Ushtria e vetme në botë dhe brenda NATO-s që ka luftuar ballë për ballë me DEASH-in është ushtria jonë”.

“Si rezultat i kësaj lufte janë vrarë rreth 4 mijë terroristë”, tha Çavuşoğlu duke shtuar se me masat kundër terroristëve të huaj dhe ato të marra brenda Turqisë ofrohet mbështetje edhe ndaj luftës ndërkombëtare.

Ai rikujtoi se është diskutuar kryerja e angazhimit me talebanët në mënyrë që DEASH-i të mos zgjerohet në Afganistan. “Pra, kush i dërgoi atje këto terroristë nga Siria? Thonë se ‘luftoi YPG-ja‘, këto fillimisht i transportuan me autobusë nga disa qytete më pas i morën me avionë e i dërguan dhe i lanë në Afganistan”.

“Të gjithë politikat e SHBA-së bashkë me politikat e saj në Siri dhe Irak, po diskutohen në Evropë dhe në NATO. Të gjitha këto janë bërë në mënyrë të paplanifikuar dhe të paparashikuar”, potencoi Çavuşoğlu.

Ai vuri në dukje se efekti i këtyre politikave të paplanifikuara është vërejtur në Afganistan dhe në Irak. “Edhe në atë rajon të Sirisë e shohim efektin e saj. Amerika mbështet një organizatë terroriste separatiste e cila përpiqet të ndajë Sirinë. Së pari SHBA-ja të heqë dorë nga politikat e saj të gabuara, në vend që të akuzojë Turqinë. Të tregohet më e drejtë edhe me popullin amerikan dhe me Kongresin Amerikan. Sepse ka shumë gabime në informacionet që ka dhënë atje, ka informacione që nuk janë të rregullta dhe të drejta”, tha Çavuşoğlu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re