Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, theksoi se provokimet e Armenisë janë sulm terrorist ndaj territoreve të Azerbajxhanit dhe se duhet të shikojë që nuk do të mund të marrë rezultat nga këto provokime.

“Gjithmonë do të ndërmarrim hapa së bashku për stabilitetin e rajonit. Nëse Armenia është e gatshme t’i bashkohet kësaj, edhe ne jemi, por me provokime ajo vetëm humbet”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit në Ankara me ministrin e Jashtëm të Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al-Zayani.

Azerbajxhani me një operacion që filloi si pasojë e provokimeve të Armenisë rimori brenda 44 ditëve territoret të cilat mbaheshin të pushtuara prej rreth 30 vitesh, tha Çavuşoğlu.

“Në këtë mënyrë tregoi vendosmërinë e tij dhe fuqinë e turqve. Azerbajxhani vëlla nuk është vetëm dhe nuk do të jetë i tillë. Vëllezërit tanë azerbajxhanas dhe Azerbajxhani nuk na ka lënë vetëm asnjëherë. Edhe ne nuk do ta lëmë vetëm Azerbajxhanin”, shtoi ai.

Çavuşoğlu u shpreh se Azerbajxhani, i cili rimori tokat e tij pas kësaj fitoreje, në njërën anë shprehu dëshirën dhe propozoi që të vazhdojë të punojë për stabilitetin e rajonit në formatin gjashtëpalësh, dhe nga ana tjetër ndërmori hapa për zbatimin e projekteve të rëndësishme për zhvillimin dhe stabilitetin e rajonit.

“Dhe më e rëndësishmja është se Azerbajxhani i bëri një propozim Armenisë. Cili ishte? Propozimi i Azerbajxhanit ishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse për paqe, ku pala fituese, më e fortë, i shpreh palës tjetër ‘të nënshkruajmë një marrëveshje paqeje të përhershme, dhe mes nesh të mos ketë më luftë’. Ndërkaq, shikojmë qëndrimin e palës tjetër, pra të Armenisë, e cila menjëherë pas armëpushimit infiltroi disa ushtarë të saj në territoret e Azerbajxhanit dhe në atë kohë sulmoi ushtarët tanë. Them ushtarët tanë sepse edhe ushtarët e Azerbajxhanit janë ushtarët tanë, sepse ne jemi një popull, dy shtete.

Që nga ajo ditë, Armenia në njërën anë lutet, na vendos në veprim të gjithë ne, komunitetin ndërkombëtar, për dorëzimin e robërve të luftës, të cilët nuk mund të themi se janë të tillë por veç persona që kanë kryer sulme terroriste në territoret e Azerbajxhanit, ndërsa në anën tjetër, ajo vazhdon sërish me të njëjtat provokime. Pra sulmon territoret e Azerbajxhanit, vëllezërit tanë dhe ushtarët e Azerbajxhanit”, deklaroi Çavuşoğlu.

Armenia duhet ta shikojë se këto përpjekje janë të kota se nuk do të sjellin ndonjë dobi, u shpreh më tej kryediplomati turk, duke shtuar: “Edhe presidenti ynë e ka thënë shumë herë që dëshirojmë stabilitetin e rajonit, duam të hapim faqe të reja dhe duam të normalizojmë marrëdhëniet. Ndërkohë që ne shprehim këto, shikoni se çfarë vepron Armenia. Një Armeni e cila thotë ‘Unë nuk dua paqe, dua provokime’. E çfarë përfiton në këmbim të kësaj? Asgjë. Për këtë arsye humb. Do të humbasë sërish”.

Në fjalën e tij, Çavuşoğlu nënvizoi se Armenia duhet të mbajë qëndrim për paqen, stabilitetin dhe qetësinë e rajonit.

“Duhet të pranojë një gjë. Që këto ishin toka të Azerbajxhanit, i kishin okupuar në mënyrë të padrejtë. Azerbajxhani mori tokat e tij, nuk dhunoi tokat e tyre (armene). Këtë duhet ta pranosh dhe ta respektosh. Do të ulemi të bisedojmë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Turqisë.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë