Skip to content

Çavuşoğlu: Turqia që nga fillimi ka paraqitur qëndrim të qartë në krizën Rusi-Ukrainë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu tha se kanë bërë pjesën e tyre për uljen e tensioneve në Ukrainë dhe për të hapur vend për diplomacinë.

Çavuşoğlu në konferencën e përbashkët për media që u mbajt pas takimit në Moskë me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov tha se Turqia që nga fillimi i luftës dhe krizës në Ukrainë ka paraqitur një qëndrim të qartë dhe se kanë ndarë në mënyrë të sinqertë dhe të drejtë shqetësimet dhe kritikat e tyre.

“Kemi bërë pjesën tonë që na takon për uljen e tensioneve, për të hapur vend për diplomacinë dhe në çdo rast kemi theksuar nevojën e kësaj”, deklaroi Çavuşoğlu.

“Që nga fillimi kemi treguar përpjekje dhe vazhdojmë të tregojmë përpjekje për të siguruar armëpushim humanitar dhe të përhershëm”, potencoi Çavuşoğlu i cili shtoi se që nga 24 shkurti e deri më tani drama humanitare dhe shkatërrimi ka vazhduar duke u rritur, mijëra civilë kanë humbur jetën dhe rreth 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina.

“Kësaj ecurie duhet t‘i jepet fund. Tashmë gjakderdhja dhe lotët duhet të ndalen. Ashtu siç e kemi theksuar gjithmonë, luftërat nuk kanë fitues dhe paqja nuk ka humbës”, tha Çavuşoğlu.

Në fjalën e tij, Çavuşoğlu tha se me të dy palët kanë ndarë mendimet e tyre fillimisht për armëpushim humanitar dhe më pas për sigurimin e armëpushimit të përhershëm.

“Qëllimi ynë ishte që të nxirrej mësim nga këto përjetime dhe të punonim sërish së bashku për stabilitetin dhe paqen e rajonit. Ne në këtë proces do të vazhdojmë të rrisim përpjekjet tona të cilat i japin përparësi diplomacisë. Pa besimin e Rusisë dhe Ukrainës ndaj nesh në këtë proces, ne nuk do të ishim në gjendje t’i kryenim këto përpjekje në mënyrë të mjaftueshme”, tha Çavuşoğlu.