Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka deklaruar se projektligji i ri do të sjellë ndryshime që do t’i japin zgjidhje përfundimtare problematikës së tejzgjatur lidhur me mungesën e unifikimit dhe standardizimit të sistemit të adresave.

Balla u shpreh se do të ngrihet një regjistër unik i banesave në rang vendi, të cilit do t’i referohen të gjitha institucionet në vend.

“Çdo banesë, ndërtesë, biznes, çdo njësi do të ketë një kod unik identifikues të papërsëritshëm”, u shpreh ministri në Komisionin e Ligjeve, i cili listoi lehtësitë që do të sjellë.

Taulant Balla: “Projektligji ka të bëjë me disa ndryshime të rëndësishme që synonin ti japë një zgjidhje përfundimtare një problematike të tej zgjatur lidhur me mungesën e unifikimit dhe standardizimit të sistemit të adresave.

Ndryshime të cilat i kemi sjellë për miratim kanë të bëjnë me ngritjen e një regjistri unik të banesave në rang vendi, i cili do të ketë detyrim t’i referohen të gjitha institucionet në vend, qofshin publike apo private.

Nëse deri më tani kemi pasur regjistra adresash nga institucione të ndryshme, pas miratimit të ligjit do të kemi 1 regjistër unik adresa në Shqipëri me standarde të unifikuara të formatit të adresave në rang vendi. Çdo banesë, ndërtesë, biznes, çdo njësi do të ketë një kod unik identifikues të papërsëritshëm.

Çdo banesë ka kodin unik dhe na mundëson zgjidhjen përfundimtare të një problematike që lidhet pikë së pari me ofrimin e shërbimeve të duhura tek qytetari. E dyta ka të bëjë me lehtësimin e mbërritjes në adresë, jo vetëm të shërbimit postar, por edhe identifikimit të adresave edhe sa i përket vizitorëve të huaj për të shkuar në një adresë të caktuar.

Duke pajisur me kodin unik çdo banesë, hotel, biznes, destinacioni i synuar do të jetë lehtësisht i arritshëm. Regjistri unik është në funksion, adresari adresari.mb.gov.al

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re